Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e fajësoi homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, për fillimin e luftës me Rusinë, një ditë pasi një sulm masiv rus la të vrarë 35 njerëz, ndërsa plagosi 117 të tjerë në Ukrainë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Zelensky e ndan fajin me presidentin rus, Vladimir Putin, për “miliona njerëz të vdekur” në luftën e Ukrainës, raporton televizioni BBC.
“Ti nuk nis një luftë kundër dikujt që është 20 herë sa madhësia jote dhe pastaj të shpresosh se njerëzit të japin ca raketa” – tha Trumpi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke e fajësuar për konfliktin edhe paraardhësin e tij, Joe Biden.
Komentet e amerikanit vijnë pas reagimeve të gjera pas sulmit të Rusisë në qytetin Sumy të Ukrainës të dielën, i cili ishte sulmi më vdekjeprurës rus ndaj civilëve deri më tani këtë vit.
Më herët, Trumpi tha se sulmi rus ishte një “gabim”.
“Miliona njerëz të vdekur për shkak të tre njerëzve. Le të themi Putini numër një, le të themi se Bideni, i cili nuk e kishte idenë se çfarë dreqi po ndodhte, numër dy, dhe Zelensky” – tha presidenti amerikan të hënën.
Vlerësohet se qindra mijëra njerëz, por jo “miliona”, siç tha Trumpi, janë vrarë ose janë plagosur në të dyja anët e konfliktit që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Duke e vënë në pikëpyetje kompetencën e Zelenskyt, Trumpi theksoi se homologu i tij ukrainas “gjithmonë është duke synuar që të blejë raketa”.
“Kur filloni një luftë, duhet të dini se mund të fitoni” – tha presidenti amerikan.
Tensionet mes Trumpit e Zelenskyt kanë qenë të larta që nga përplasja e tyre e ashpër verbale në Shtëpinë e Bardhë në shkurt të këtij viti.
Në një intervistë para sulmit rus në Sumy, Zelensky i bëri thirrje homologut amerikan që ta vizitonte Ukrainën para se të bënte një marrëveshje me Putinin për t’i dhënë fund luftës, në mënyrë që t’i shihte nga afër pasojat e agresionit rus në vendin e tij.