Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, është shfaqur për herë të parë në publik pas daljes nga spitali në Nju Jork, ku ishte nën kujdes mjekësor për një periudhë të vështirë shëndetësore.Lajmin e mirë e ka ndarë modeli dhe aktivisti Elton Ilirjani, i cili publikoi në rrjetet sociale foto dhe video të saj, duke treguar transformimin e saj të dukshëm.
Në imazhet e shpërndara, Simaku duket krejtësisht e ndryshuar, me flokë të rregulluara dhe një pamje të freskët, duke rrezatuar qetësi dhe pozitivitet.
Në një video të postuar nga Ilirjani, ajo shfaqet duke buzëqeshur, një shenjë e rikthimit të saj drejt një periudhe më të qetë dhe të stabilizuar.
“Surprizë, ia dolëm!”, shkruan Ilirjani, duke shprehur emocionet e tij për përparimin e këngëtares. Megjithatë, ai thekson se ky është vetëm fillimi i një rruge të re për të dhe se ajo do të ketë nevojë për mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm.
“Dalja nga spitali nuk do të thotë që problemi ka përfunduar. Përkundrazi, puna fillon tani. Ajo ka nevojë për një përkujdesje të veçantë dhe mbështetje të vazhdueshme. I bëj thirrje grave shqiptare, atyre që kanë mundësi, të ndihmojnë gjatë akomodimit të saj në shtëpinë e re, të jenë pranë saj, të kalojnë kohë me të,” u shpreh Ilirjani.
Ai gjithashtu shprehu keqardhje për mungesën e ndihmës nga disa artistë shqiptarë, veçanërisht ata të brezit të Simakut, duke theksuar se mbështetja e komunitetit artistik ka qenë më e vogël nga sa pritej.
Në fund, Ilirjani ndau shpresën e tij që Parashqevi Simaku të jetë e pranishme në rreshtin e parë gjatë Javës së Modës në New York, ku ai do të ngjitet në pasarelë, duke e përjetuar këtë moment si një triumf të rikthimit të saj në jetë dhe në skenën publike.