Dalin hollësi: Çfarë tha në TikTok djegësi i Kuranit para se të vritej në Suedi?

Aktivisti kundër Islamit, Salwan Momika, u qëllua për vdekje në Suedi. Ai ishte në rrezik të lartë. Sipas gazetës suedeze “Aftonbladet”, ai ishte vendosur në një adresë sekrete nga policia, kur u vra. Rreth rastit kanë dalë edhe hollësi të tjera.

Një gjykatë suedeze kishte planifikuar që të enjten në orën 11:00 ta shqiptonte vendimin kundër Momika-s dhe të pandehurit tjetër, Salwan Najem, për nxitje kundër një grupi etnik në lidhje me katër raste të djegies së Kuranit në Stokholm në verën e vitit 2023, raporton gazeta “Aftonbladet”. Tani gjykimi është shtyrë për shkak të vdekjes së Momika-s.

Ishte ora rreth 23:00 të mërkurën në mbrëmje, kur aktivisti që kishte kopje të Kuranit u qëllua për vdekje në një banesë në qytezën Sodertalje. Gjithçka u transmetua në rrjetin e famshëm social, “TikTok”.

Një grua e quajtur Linda, e cila e ndoqi transmetimin i tregoi televizionit TV4 se çfarë ka parë.

“Ai qeshi dhe tha se do të dilte për të pirë cigare në ballkon, por zor se pati kohë që të dilte para se të dëgjohej e shtëna e parë. Ishte si tërmet. Perdet u valëvitën dhe telefoni u rrëzua. Pastaj dëgjova katër të shtëna” – tha ajo.

“Njerëzit që po e shikonin transmetimin e drejtpërdrejtë filluan që të hamendësonin se çfarë ndodhi. Mendoj se u deshën rreth 15 deri në 25 minuta para se të dëgjohej policia duke hyrë në banesë. Dukej si kohë shumë e gjatë, sepse ishim të brengosur. Mund t’i dëgjoja policët duke folur për defibrilatorë dhe për atë nëse kishte armë në banesë. Pastaj transmetimi u ndal” – shtoi Linda.
Ajo tha se u prek fort nga skena që e pa. “Ende jam e shokuar nga ajo nëpër të cilën kalova. Nuk mundja të flija mbrëmë dhe kam qenë duke menduar për këtë gjatë kohës sa isha në punë. Kur e mendon më mirë, hamendesh nëse dikush ka mundur të ishte në pritje të tij në ballkon, sepse ndodhi aq shpejt” – rrëfeu më tej dëshmitarja virtuale.

Një person tjetër që gjithashtu ishte pjesë e transmetimit të drejtpërdrejtë i tha mediumit “Sydsvenskan” se ai dëgjoi pesë të shtëna, përcjell gazeta “Nacionale”.

Policia hyri më vonë në banesë dhe e ndërpreu transmetimin e drejtpërdrejtë në “TikTok”.

Avokatja e aktivistit tashmë të vrarë, Anna Roth, tha se ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun e gjerë kundër tij. Sipas avokates, mbi kokën e tij kishte një çmim.

Zonja Roth i tha agjencisë së lajmeve TT se Momika kishte mbrojtje personale në lidhje me gjykimin dhe me djegiet e Kuranit, por jo për çështje të tjera.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here