Sulmet intensive izraelite kundër Hezbollahut vranë 492 njerëz dje në Liban, duke përfshirë 35 fëmijë.Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u shpreh thellësisht i shqetësuar nga numri i viktimave civile në Libanin jugor dhe lindor të bombarduar nga ushtria izraelite, tha zëdhënësi i tij.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka frikë se ky përshkallëzim midis Izraelit dhe lëvizjes Hezbollah, mund ta tërheqë rajonin në një spirale të pakontrollueshme.
Krahu i armatosur i Hamasit, njoftoi se komandanti i saj në terren Mahmoud Al Nader u vra sot në një sulm ajror izraelit në Libanin jugor.
Nga Nju Jorku, ku mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ministri i Jashtëm francez njoftoi se Parisi do të bëjë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit për Libanin këtë javë.
“Jemi në prag të luftës totale”, nënvizoi kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Shtetet e Bashkuara thanë se po punojnë për të propozuar zgjidhje konkrete e diplomatike për të zbutur krizën në Liban, ndërsa shprehin kundërshtimin e tyre ndaj çdo pushtimi tokësor izraelit për të synuar Hezbollahun.
Pekini shprehu mbështetje për Libanin dhe dënoi ato që i quajti “sulme pa dallim kundër civilëve”, tha një konferencë diplomatike e Pekinit. Kina mbështet Libanin “në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë”.