Serbët e denoncojnë shqiptarin që vendosi figura të UÇK-së në shtëpinë e tij në Gjermani

Situata në të cilën është përfshirë Sildi Çelmeta nga Kavaja e Shqipërisë, i cili tani jeton në Gjermani, ka shkaktuar polemika të mëdha për shkak të prezencës së tri figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të vendosura në shtëpinë e tij në Gjermani. Ai, në murin ë shtëpisë së tij ka vendosur tri figura të UÇK-së, atë të kamandantit Legjendar Adem Jashari, të Begë Rizës dhe të Indrit Carës.

Çelmeta, ish-sekretar i parë i Shoqatës Humanitare “Ilirida”, tani përfaqëson emigrantët shqiptarë në Landau an der Isar të Gjermanisë, ka treguar për Gazetën Korrespodenti, së një përfaqësuese e komunitetit serbë në këtë qytet, ka vendosur që ta dërgojë atë në gjyq, për shkak se siç kishte deklaruar ajo, këto simbole kanë shkaktuar trauma te komuniteti serbë.

“Më paska denoncua një kryetare e komunitetit serb, që është Adelina Gredeviq dhe paska thonë që unë banoj këtu afër dhe për ne serbët ky është një problem në sy, sepse UÇK-ja ka qenë një organizatë terroriste që na ka ba me vuajtë shumë ne serbëve dhe ne kemi shumë trauma nga UÇK-ja. Ata kanë deshtë Shqipërinë e Madhe dhe aty është Adem Jashari, ai që e ka kriju këtë organizatë të rrezikshme. Kurse vetë ai që e ka shkrujt artikullin, thotë që UÇK-ja ka qenë një organizatë që çliroi trojet shqiptare nga serbët, kurse kjo thonte, jo jo, UÇK-ja ka qenë një organizatë shumë e rrezikshme që ka desh vetëm Shqipërinë e Madhe dhe ka terrorizu serbët”, tha Çelmeta.

Ai thotë se edhe kryetari i qarkut të Landau an der Isar, Christoph Brunner, është kontaktuar nga përfaqësues të SPD-së (parti politike në Gjermani) për këto simbole, dhe se ky u ka thënë atyre se simbolet nuk përbëjnë asnjë problem, për shkak se gjenden në pronë private.

“Edhe kanë shkruar aty që është kryetari i bashkisë edhe gjithë kryetarët e qarkut janë bashku edhe kanë thënë që nuk ka asnjë lloj problemi për ne, sepse UÇK-ja dhe simbolet shqiptare janë midis dy pronësive private, kështu që nuk ka asnjë lloj problemi. Sot erdhi kryetari i qarkut Christoph Brunner, dhe tha që para një muaji i kishin shkuar përfaqësues nga SPD-ja edhe e kishin pyetur ‘çka është me këta flamuj?’ dhe kryetari qarkut u kishte thënë se nuk ka asnjë lloj problemi, neve na pëlqen shtëpia, shqiponja, UÇK-ja. kështu që vazhdoni. Folëm tha për pesëdhjetë sekonda dhe e mbyllën këtë temë… E tashi kanë bërë denoncim kundër meje, po unë i shpartalloj para gjyqit, nuk ma rrëzon kush UÇK-në kurrë”, u shpreh Çelmeta.

Nga ana tjetër, gazeta gjermane Passauer Neue Presse, në një artikull të saj për këtë ngjarje ka shkruar se policia gjermane ka nisur një hetim me fokusin se cila është ligjshmëria e këtyre simboleve. Rasti është proceduar te Prokuroria e Landshutit për vlerësim ligjor. Hetimi ka për qëllim të përcaktojë nëse simbolet shkelin ndonjë ligj.

Sildi Çelmeta mbetet i vendosur, duke deklaruar se askush nuk do të mund të heqë simbolet e UÇK-së nga pronë e tij dhe është i gatshëm të mbrojë qëndrimin e tij në gjykatë. /Korrespodenti

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here