Spanja, finalistja e parë e Euro 2024

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024 pasi mposhti me rezultat 2-1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale.

Rasti i parë për gol i takoi Spanjës që rrezikuan në minutë e pestë përmes Fabian Ruiz i cili me kokë ishte pranë shënimit.

Franca arriti të kalojë në epërsi në minutën e nëntë me anë të Randal Kolo Muanit i cili u asistua nga Kylian Mbappe për rezultatin 1-0.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i Spanjës që arritën të shënojnë dy gola të shpejtë për të rikthyer avantazhin në të mirë të tyre.

Fillimisht për të barazuar rezultatin në 1-1 u përkujdes Lamine Yamal (21’) që shënoi një super gol nga distanca.

Goli i dytë dhe ai që i solli kualifikimin Spanjës u shënua në minutën e 25-të, ku goditjen e Dani Olmos e devijoi në portë Jules Kounde për 2-1.

Në pjesën e dytë Spanja arriti ta menaxhojë mirë epërsinë e krijuar në pjesën e parë duke u kualifikuar kështu në finalen e Berlinit.

Spanja ishte shumë afër që të shënonte golin e qetësisë me Lamine Yamal (81’) por gjuajtja e tij e fortë për fat të mirë të francezëve përfundoi mbi portë.

Një rast të mirë shënimi e pati edhe Kylian Mbappe i cili u gjend në një situatë të favorshme përballë portës në minutën e 86-të, por gjuajtja e tij shkoi krejtësisht jashtë portës.

Finalja e madhe e Euro 2024 do të luhet më datë 14 korrik në Berlin, aty ku Spanja do të takohet me fituesin e ndeshjes Angli-Holandë që do të luhet nesër (10 korrik) me fillim nga ora 21:00./Telegrafi/

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here