Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur mbrëmë edhe për raportet me Qeverinë Kurti, ku tha se s’është sekret se Qeveria e ShBA-së dëshiron të shoh bashkëpunim më të ngushtë në disa fusha.
Për këtë, ai ka marrë shembull aksionin e fundit në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’.
Sipas Hovenier, ky aksion u krye në një mënyrë jo të koordinuar nga Qeveria dhe vuri në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog.
Pra, nuk është kurrfarë sekreti se qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të shohë në disa fusha bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e kryeministrit Kurti. E themi hapur këtë dhe më lejoni vetëm një shembull të fundit. Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërish të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë që gjërat të bëheshin në një mënyrë që çojnë përpara dialogun dhe rrugën euroatlantike të Kosovës”, ka deklaruar Hovenier.
Hovenier tha se nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike, ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së dhe NATO-s.
“Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne. Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë në koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë. Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim”, ka thënë Hovenier në televizionin publik.