Ishte data 18 nëntor 2023. Zvicra po luante kundër Kosovës në St. Jakob-Park të Bazelit.
Driton Sedaj (40-vjeçar) nga Bieli ishte në stadium me djemtë e tij Luanin (13) dhe Florianin (10). Kur gjyqtari i bie bilbilit, babai Sedaj shkon në një dyqan ushqimor në stadium. Kosovari do të mërzitej më vonë për këtë veprim.
Djali i tij, Floriani papritmas vrapon në fushë dhe kalon rojet e sigurisë drejt kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës. Qëllimi i tifozit të ri: t’ia marrë fanellën idhullit të tij.
Djali vrapon drejt e në krahët e yllit të Zvicrës dhe sigurimi është aty. Nuk e merr fanellën, por të paktën bën selfie me Xhakën. Më pas djali përcillet jashtë fushës. Madje skena është kapur edhe nga kamerat.
Babai i tij kthehet në ulëse dhe forcat e sigurisë informojnë atë se djali i tij do të marrë një vërejtje dhe se atij do t’i merreshin të dhënat e tij personale. Vërejtja nuk ishte aq e rreptë, mendon Driton Sedaj. Në humor të mirë dhe me një selfie të Xhakës në telefon, familja niset për në shtëpi. Një mbrëmje e suksesshme futbolli.
Humori i mirë tani ka mbaruar. Të premten e javës së kaluar, një letër nga Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) mbërriti papritur në kutinë postare. Driton Sedaj duhet të paguajë 2597.15 franga gjobë për selfien ‘ilegal’.
“Unë u trondita,” tha ai për Blick. “Nuk ka pasur asnjë paralajmërim, askush nuk është shqetësuar. Një djalë 10-vjeçar nuk e ka rrezikuar askënd”, thotë me bindje ai.
Ai kurrë nuk do ta imagjinonte se gjoba do të ishte kaq e lartë. “Shoqata Zvicerane e Futbollit ka para mjaftueshëm. Nuk mendoj se 2500 franga është e drejtë apo sportive.”
Ai i fajëson rojet e sigurisë. “Po, Floriani është i shpejtë, por definitivisht jo më i shpejtë se rojet (stjuardët). Duhet të ishin më të kujdesshëm”.
Por familja nuk dëshiron të shfajsohet, dënimi për selfie shihet si një mësim për jetën. Edhe prindërit e tij mësuan shumë nga ngjarja.
“2500 franga për një selfie me Xhakën është padyshim shumë shtrenjtë për mua. Pavarësisht nëse është Xhaka apo Ronaldo, asnjë fëmijë nuk i meriton këto gjoba. Çështja duhet të jetë një mësim për të gjithë prindërit. Kini kujdes fëmijët tuaj!”, thotë kosovari.
“200 franga do të ishte më e përshtatshme,” thotë ai. “Ky do të ishte një kompromis i mirë.”