Ylli i Baselit dhe një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar, Xherdan Shaqiri, ka rrëfyer së fundmi për përvojat e tij jetësore dhe sportive në një intervistë për mediat zvicerane.
Ai ka ndarë me publikun reflektime mbi fëmijërinë e tij të vështirë, rrugëtimin drejt suksesit dhe jetën e sotme në qendër të vëmendjes.
Në intervistë për mediumin ‘blu Sport’, Shaqiri ka folur edhe për kombinimin e karakterit të tij mes dy kulturave që e kanë formësuar – asaj shqiptare dhe asaj zvicerane.
Ai tregon se në fushën e lojës dominohet nga pasioni dhe emocioni që i njeh shqiptarëve, ndërsa në përditshmëri përpiqet të jetë i disiplinuar dhe i përpiktë, sipas stilit zviceran.
“Në fushë, padyshim shqiptari i pasionuar – me emocione. Megjithatë, në jetën e përditshme jam shumë zviceran: i përpiktë, i besueshëm”.
“Mendoj se i kombinoj të dyja mentalitetet”, ka thënë Shaqiri për mediumin zviceran.
Shaqiri aktualisht është në një formë të shkëlqyer me klubin e tij, Basel, ku këtë sezon ka arritur shifra mbresëlënëse: 16 gola dhe 18 asistime në 32 ndeshje, duke qenë një ndër liderët kryesorë të skuadrës.