Shkencëtarët nga Universiteti Rice, në Houston të SHBA-së, dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë zbuluar një mënyrë të re për shkatërrimin e qelizave kancerogjene përmes dritës infra të kuqe.
Kjo teknikë inovative vë në pah fuqinë e vibrimit të molekulave që nxitet nga rrezet infra të kuqe për të shkatërruar qelizat kancerogjene, duke ofruar shpresë të re në luftën kundër kancerit, shkruan “BrighterSide”.
Ekipi i shkencëtarëve krijoi një lloj çekani me anë të disa molekulave, të cilat i referohen me termit “plazmone”. Kur këto molekula vendosen në afërsi të dritës infra të kuqe, ato shpërndajnë vibrime në mënyrë të sinkronizuar, gjë që çon në shkatërrimin e membranave të qelizave kancerogjene.
Gjetjet, që u publikuan në “Nature Chemistry”, kanë treguar rezultate efektive, duke eliminuar 99 për qind të melanomave te minjtë në laborator.
Këto molekula operojnë me shpejtësi të madhe dhe i përgjigjen dritës infra të kuqe, një arritje që konsiderohet e paprecedentë.
Një ndër përparësitë e mëdha të afrimit të këtyre molekulave me dritën infra të kuqe është aftësia për të depërtuar thellë në brendësi të trupit të njeriut pa shkaktuar dëme në indet e shëndosha.
Me efikasitet mbresëlënës dhe shumë pak invaziv, ky zbulim mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit, duke ofruar shpresë për pacientët.
“Vibrimet e mira” të shkencës kanë sjellë me të vërtetë një valë të re të optimizmit kundër kancerit.
Kimisti James Tour po e konsideron këtë metodë si të jashtëzakonshme.
Ekipi i tij më parë ka bërë trajtime me komponime të tjera të pajisura me disa zinxhirë atomesh që aktivizohen përmes dritës për të depërtuar në zonat e membranave të infektuara me baktere, qeliza kancerogjene dhe kërpudha, të cilat nuk trajtohen me barna, për t’i shkatërruar ato.
“Rrezet infra të kuqe mund të arrijnë në thellësi prej 10 centimetrash, gjë që është shumë më shumë se sa mund të bënim me nanodrilet, të cilat mund të depërtonin vetëm gjysmë centimetri në trupin e njeriut. Ky është një avancim i madh”, thuhet në deklaratën e studimit.