A morëm vërtet një sinjal nga një univers paralel? Zbulimi që po trondit botën e shkencës

Në vitin 2019, detektorët e valëve gravitacionale në Tokë kapën një sinjal kaq të çuditshëm saqë i la shkencëtarët pa fjalë. Ky sinjal misterioz, i emërtuar GW190521, mund të jetë prova e parë e ekzistencës së një universi paralel.

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Akademisë Kineze të Shkencave, i udhëhequr nga Dr. Qi Lai, ka propozuar një teori të guximshme: sinjali nuk është gjë tjetër veçse një “jehonë” që ka udhëtuar drejt nesh përmes një vrime krimbi, një tunel që lidh realitetin tonë me një tjetër.

Valët gravitacionale janë valëzime të padukshme në strukturën e hapësirë-kohës, një koncept i parashikuar nga Ajnshtajni. Ato zakonisht krijohen nga ngjarje kozmike kataklizmike, si përplasja e dy vrimave të zeza.

Studiuesit nga Akademia Kineze e Shkencave thonë se sinjali i çuditshëm mund të ketë udhëtuar drejt Tokës nga një univers tjetër (imazh ilustrues)

Kur këta gjigantë kozmikë rrotullohen rreth njëri-tjetrit në një spirale vdekjeprurëse, ata prodhojnë një sinjal të dallueshëm që zgjat dhe ka një tingull karakteristik në formë “cicërime” që rritet në frekuencë. Deri më sot, shkencëtarët kanë regjistruar rreth 300 përplasje të tilla dhe të gjitha kanë ndjekur këtë model. Por GW190521 ishte krejt ndryshe. Ai ishte një shpërthim i papritur dhe jashtëzakonisht i shkurtër, që zgjati më pak se një të dhjetën e sekondës, pa “cicërimën” hyrëse që pritej.

Pikërisht kjo anomali i shtyu shkencëtarët të kërkonin shpjegime alternative. Sipas teorisë së publikuar së fundmi, Dr. Lai dhe ekipi i tij argumentojnë se sinjali GW190521 mund të jetë jehona e një përplasjeje vrimash të zeza që ka ndodhur në një univers tjetër. Ata sugjerojnë se energjia e kësaj përplasjeje ishte aq e fuqishme sa krijoi një “vrimë krimbi” jetëshkurtër, një urë mes dy universeve. Për një moment të shkurtër, ky tunel lejoi që valët gravitacionale të kalonin nga universi tjetër në tonin.

“Sinjali i shkaktuar pas bashkimit të vrimave të zeza në një univers tjetër mund të kalojë përmes grykës së një vrime krimbi dhe të zbulohet në universin tonë si një puls i shkurtër jehone,” shpjegon Dr. Lai. Mbyllja e menjëhershme e këtij tuneli kozmik do të shpjegonte pse sinjali u ndërpre kaq papritur.

Në vitin 2019, shkencëtarët zbuluan një shpërthim valësh gravitacionale, valëzime në hapësirë-kohë që zakonisht shkaktohen nga përplasja e vrimave të zeza, i cili nuk përputhej me asnjë sinjal tjetër të regjistruar më parë. Në foto: koncepti artistik i përplasjes së dy vrimave të zeza.

Natyrisht, ekziston edhe një shpjegim më konvencional. Teoria kryesore aktuale është se sinjali u shkaktua nga një përplasje e drejtpërdrejtë mes dy vrimash të zeza, të cilat u përplasën ballë për ballë pa hyrë në spiralen tipike. Një skenar i tillë do të prodhonte gjithashtu një sinjal të shkurtër dhe pa “cicërimën” karakteristike. Për të testuar të dyja hipotezat, studiuesit kinezë krijuan modele të sofistikuara matematikore. Ata modeluan se si do të dukej një sinjal që vjen përmes një vrime krimbi dhe e krahasuan me modelin e një përplasjeje të drejtpërdrejtë në universin tonë.

Rezultatet ishin befasuese. Edhe pse modeli i përplasjes standarde përputhej pak më mirë me të dhënat e mbledhura nga detektorët LIGO dhe Virgo, diferenca ishte aq e vogël sa nuk mund të përjashtonte mundësinë tjetër. Siç shkruajnë vetë autorët në studimin e tyre, “preferenca për përplasjen standarde nuk ishte mjaftueshëm domethënëse për të përjashtuar mundësinë që modeli i jehonës nga vrima e krimbit të jetë një hipotezë e vlefshme për ngjarjen GW190521”. Kjo do të thotë se dera mbetet e hapur për një ide që dikur i përkiste vetëm fantashkencës.

Nëse kjo teori vërtetohet, pasojat do të ishin monumentale. Kjo jo vetëm që do të provonte ekzistencën e vrimave të krimbit, por do të ishte gjithashtu dëshmia e parë konkrete për ekzistencën e universeve të tjera përtej tonit. Për herë të parë në historinë njerëzore, ne do të kishim një mjet të fuqishëm për të studiuar këto realitete të tjera, duke na ofruar një vështrim në një kozmos që deri më tani vetëm e kemi imagjinuar. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME