Shfaqja “Bretkosa” mbush gjysmë dekade në skenë

Shfaqja “Bretkosa”, prodhim i Teatrit AAB “Faruk Begolli”, e cilësuar si shfaqja më e mirë në Kosovë, sot mbush pesë vjet nga dhënia e premierës së saj.

E krijuar nën regjinë e Burbuqe Berishës dhe me aktorët, Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi, rëndësia e kësaj shfaqje vazhdon të mbetet e pazbehur edhe pas gjysmë dekade nëpër skenat teatrore mbarë kombëtare.

Më 26 dhjetor 2018, ishe ditë e mërkurë kur për herë të parë në Teatrin Kamertal në ambientet e Kolegjit AAB u dha premiera e shfaqjes “Bretkosa”, e cila magjepsi publikun menjëherë me portretizimin e saj prekës të pasojave të luftës së fundit të Kosovës.

Me skena të ndryshme herë – herë komike, e më shumë tragjike, shfaqja “Bretkosa” ballafaqon përpjekjet e njerëzve për të shpëtuar nga traumat dhe pasojat që ka lënë lufta.

Përmes dialogjeve të personazheve, shpaloset historia e dhimbshme e kryepersonazhit të shfaqjes, Zekës, një ish luftëtari idealist, i cili shfaq traumat dhe pasojat e trashëguara nga lufta, gjatë bisedave më të tjerët, pavarësisht, arsyetimeve të veprimeve të tij dhe kërkimfaljeve të rralla.

E ndërtuar mbi dramën e kroatit Dubravko Mihanoviç, me të njëjtin titull, por e adaptuar në mënyrë brilante për realitetin kosovarë, shfaqja “Bretkosa” rrëfen një realitet, ku askush nuk ka durim për të dëgjuar tjetrin dhe komunikimi duket i pamundur, edhe për gjerat që janë më të thjeshta. Mbi të gjitha, shfaqja është e liruar nga monotonia dhe tematika, e cila në fakt, siç janë shprehur kritikët dhe krijuesit skenik, shpërfaq nuanca të zhanreve të ndryshme, andaj edhe po e mbush sallën kamertale të AAB, sa herë shfaqet.

“Kuarteti” i aktorëve, i prirë nga Ilir Tafa, “berberi”, kryepersonazhi i kësaj drame, rolin e të cilit e luan Ilir Tafa, gjatë shfaqjes, këtë rol e ndërtoi me ritme dhe kundër-ritme.

Variacionet e interpretimit të tij shquheshin edhe me të folurit, sa me turp, sa me plasje të herëpashershme që shënjonin baticat dhe zbaticat e oqeanit të dhembjes që buburitë në shpirtin e “Berberit”, ish luftëtarit të cilit i ishin vrarë shokët e togut, e ai e mallkonte veten që ka shpëtuar.

Në shfaqje, Toni, të cilin e interpreton aktori Donat Qosja, përballet me humbjen e vendit të punës për shkak të privatizimit të ndërmarrjes, proces ky që la shumë punëtorë pa punë, duke i zhytur ata në pasiguri. Roli i taksistit të cilin e interpreton aktori Basri Shala, vjen si rol përplotësues, përmes të cilit ai ndërfutë situata, zhvillime, ngjarje e kuptime të ndryshme, gjë që e bën lojën teatrore të jetë më dinamike.

Duke i shtuar ngjarjes së shfaqjes, personazhi i librashitësit të cilin e interpreton aktori Valmir Krasniqi vjen si një pikë e re fokale. Ai është një student, që shet libra për të siguruar jetën.

Gjatë gjithë shfaqjes, personazhet thurin situata nga më të ndryshmet, ku secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, dëshmuan në mënyrën më njerëzore për pasojat që lufta dhe paslufta kishte lënë vragë të mëdha në personazhet që ata luanin.

Ndërsa sot shënon pesë vjetorin e dhënies së premierës, trashëgimia e shfaqjes “Bretkosa” vazhdon të qëndrojë si një testament i vizionit artistik të regjisores së madhe, Burbuqe Berisha. Me dhjetëra repriza nëpër teatrot mbarë kombëtare dhe rëndësinë e saj të palëkundur, Teatri AAB “Faruk Begolli”, vazhdon të nderojë kujtimin e regjisores Burbuqe Berisha.

Repriza e radhës e shfaqjes “Bretkosa” do të jepet këtë të enjte më datën 28 dhjetor 2023 në ora 19:30. /atvlive.tv


Posteri i premierës së shfaqjes “Bretkosa” më 26 dhjetor 2018.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights