“Rivali i Adamit” i Lulzim Tafës vlerësohet si libri më i mirë nga Mitingu i Poezisë në Gjakovë

Poeti i njohur Lulzim Tafa vazhdon të marrë vlerësime dhe çmime të rëndësishme për kontributin e tij të çmuar në fushën e letërsisë.

Së fundmi, libri i tij me poezi “Rivali i Adamit” është vlerësuar si libri më i mirë nga Mitingu i Poezisë në Gjakovë, një ngjarje prestigjioze që këtë vit shënonte 60-vjetorin e themelimit të saj.

Lajmin për këtë vlerësim e bëri të ditur vetë poeti Tafa, i cili në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se këtë çmim ua dedikon lexuesve të tij.

“Në vitin jubilar të 60-in e themelimit të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, libri im “ Rivali i Adamit” u vlerësua libri më i mirë. Këtë çmim ua dedikoj lexuesve të vargjeve të mia, të cilët besojnë në fuqinë e poezisë dhe e ndiejnë dritën e brendshme të saj”, ka shkruar Tafa.

Ky çmim nuk është i vetmi nderim që poeti Lulzim Tafa ka marrë kohët e fundit. Në tetor të këtij viti, ai u nderua nga qyteti i Pejës me çmimin letrar “Lirikë me shi”, çmim ky që ka një domethënie të veçantë për të, i cili ngjalli kujtimet e tij të hershme për poetin Azem Shkreli, pasi ky i fundit, 30 vite më parë, i kishte dhuruar librin e tij me të njëjtin titull.

Po ashtu, më herët në muajin tetor, Tafa u nderua nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për kontributin e tij në letërsi, në një ceremoni solemne ku morën pjesë personalitete të njohura nga Kosova dhe Shqipëria.

Një tjetër arritje e rëndësishme për Tafën ishte zgjedhja e tij si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa pranimin zyrtar e bëri më 4 shtator 2024 gjatë një ceremonie të zhvilluar në Akademi.

Përveç këtyre vlerësimeve, poeti Lulzim Tafa është i njohur në nivel ndërkombëtar, duke qenë një nga poetët shqiptarë më të përkthyer dhe laureat i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare. Ai mban edhe tituj nderi në akademi dhe universitete botërore. Një ndër momentet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij letrare ishte dekorimi nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” – një nga nderimet më të larta që shteti francez jep në fushën e artit dhe letërsisë. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here