“O natë e kobshme! Natë tri herë mizore” poezia që shpreh dëshpërimin e Gjergj Fishtës

Gjergj Fishta u lind në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës.
Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Gjergj Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Gjergj Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Në krijimet e tij shprehte dëshpërimin me gjendjen dhe me atë me të cilën përballej populli shqiptar.

Njëra nga këto poezi të Gjergj Fishtës është “Nji gjamë disprimi”, të cilën ObserverKult ua sjell më poshtë:
Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka;
Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’krahnorit
Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá
Mbas sodit s’ka pse dron mâ prej Malcorit:
Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,
Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!

2. N’shpi t’tij, po, djepat asht tu’i lkundun shkina;
Arën e tij asht shkjau tu’e lavrue,
E ushtari i Malit t’Zi ‘dhè, kualt stervina
Per ata Kryqa t’bekuem i ka pengue,
Nen t’cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé
Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

3. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,
Natë e mnershme, si nata e fundit t’ferrit,
Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,
Qi, strukë nen t’zezen mblojë trathtare t’territ,
Burrat e dheut do t’ xêtê n’gjumë pështetun,
Porsi n’strofull luani xêhêt fjetun?!…

4. E ju, ‘dhè hyj t’shkelzyeshem, qi pre’Empirit
Përmallshem tue fërfllue me dritë t’kullueme,
Porsi sy Zotit, vreni m’sharte t’nirit,
Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’shemtueme
E kini pa tu’ndodhë n’mjedis t’njerzimit,
E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

5. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ketë shekull fiset
E popujt rregullon e i mban ndër caqe?
Anmikut t’njimijë vjetve me i lshue viset
Sa herë t’perligjuna me luftë e gjaqe….
Mallkue kjoftë hera, n’t’cillen shkjau pik’s’parit
Vuni kambën dhunuese m’tokë t’Shqyptarit,
6..E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,
E e shoftë me fise, popuj e qytete;
Edhè premtoftë qi, dersa t’endet moti,
Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;
Selit e saja grimë me grimë u theshin;
Me gjak t’popujvet t’vet sunduest iu ushqeshin.

7. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye
E prej Lirijet me ia ndalun hovin?
Gopsija e kùj n’Malci ka mujtë m’u ushqye?
Po a Hoti e Gruda mund t’a mbajn Moskovin?
Nuk duhet, jo, qi t’mkambet Shqyptarija:
Qé pse po i lshohet Malit t’Zi Malcija.

8. O gjak i atyne burrave fatosa,
Qi per Liri t’Malcis kullove rrkajë,
Vlo, vlo, ti sot qi maleve u erdh sosa,
E para fronit t’Perendis me vajë
Lyp gjyq mbi do Kaina t’kunoruem,
T’cillët kombin t’onë po duen me e pa t’sharruem!

9..Me parsme tona n’ata t’hershmet mota
Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’asht tuta,
Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota
Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’buta
U dridhte nji Sulltan, qi njaso here
Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

10. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,
Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume
Tartarit, e pre’Evropet larg rrezikun
Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume
Por kurr Evropa n’ndihmë nji ushtar s’na nisi;
Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ujdisi.

11. E kur per pesqind vjet na nder veriga
Ngelem t’robnis, nen themer t’huej tue kja,
E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’liga
Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,
N’harresë Evropa edhe m’atëherë na qiti
E doren kurr ajo n’kob t’onë s’na ngjiti.

12. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,
Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,
E t’miren nieri kurr s’t’a ka permendun,
Sa t’keqen punë me t’cillen t’a keshë fye;
Si edhè ma t ‘shumen, miq s’gjen nieri i shkretë,
Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ketë jetë.
13. Veç sot pse Evropa, sot qi asht t’gjith uzdaja
Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’vetveti,
Pse sot Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –
Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,
E m’vende t’ona duen qi shkjau të shklasë
E fisi i Shqypëtarit n’dhé t’humbasë?

14. O Zot i lum, qi vetem n’dorë Ti i kè
Shartet e popujve e mbretnive t’tana,
E gja pa hiri kurr Ty s’t’ndodhë mbi dhé,
As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,
Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,
Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here