Shqipëria dhe Kosova u bënë nga Albanologjia

Ne tashmë kemi përpara programin e një konference të re për studimet albanologjike, që është e pesta me radhë, pas asaj për studimet albanologjike në vendet gjermanishtfolëse, ne Itali, në Shtete e Bashkuara të Amerikës, në Francë dhe, së fundi, në Britani dhe në vendet e Europës Veriore. Me këtë konferencë plotësohet harta e studimeve albanologjike në botën perëndimore, e cila në të vërtetë është themeluese e albanologjisë si shkencë dhe si dije gjuhësore dhe historike.

Shkruan: Mehmet Kraja

Më lejoni të them se, që nga Laibnici, më shumë se tre shekuj më parë, rëndësia e studiuesve të huaj për albanologjinë, pra, nuk ka reshtur asnjëherë. Të huajt, perëndimorët, ishin ata që vunë themelet e albanologjisë si shkencë, kjo tashmë është e njohur nga të gjithë. Por duhet thënë edhe një gjë më shumë se kaq. Studimet e tyre paraqiten të rëndësishme edhe në një shtrirje kohore dhe tematike me të gjerë: përfshijnë edhe dimensione historike, të etnogjenezës, madje kanë pasur dhe kanë rëndësi kulturore, ndonjëherë edhe politike. Janë këta studiues, shumica syresh, që e kanë afirmuar çështjen shqiptare në kushte të vështira të errësirës së plotë studimore, informative dhe diturore që sundonte mbi Shqipërinë dhe Kosovën.

Ata që kanë dilema ende rreth përkatësisë perëndimore të kombit tonë, edhe nga kjo foltore duhet t’iu themi se Shqipërinë, të tillë siç e bënë, me toka të aneksuara dhe me sovranitet të kufizuar për një kohë të gjatë, me përplasje të mëdha interesash të fuqive vendimmarrëse, me konflikte të brendshme permanente; pra, të tillë siç ishte, e bënë perëndimorët, pikërisht ata që u pajisen me ndjeshmëri për çështjen shqiptare nga dijet albanologjike. Unë nuk them se të gjithë patën njohje pozitive për çështjen shqiptare: ndonjëherë studimet e tyre janë luhatur ndërmjet urrejtjes dhe përçmimit, herë të tjera kanë vuajtur nga joobjektiviteti shkencor ose nga ndikimi i interesave politike të pretendentëve të ndryshëm, por ne e dimë se ata, sido që të jetë, e meritojnë mirënjohjen tonë.

Gjithashtu, atyre që ende mund të kenë dilema rreth përkatësisë sonë perëndimore, po nga kjo foltore iu duhet thënë se shteti i Kosovës, me të gjithë atributet e tij, me fondamentin historik, me konstalacionin e tij shtetëror, është bërë dhe funksionon nën një përkujdesje pothuajse atërore të Perëndimit, një përkujdesje që fillon nga ndalja e gjenocidit dhe vazhdon ende deri në konsolidimin e tij institucional. Pra, janë dijet albanologjie, të cilat jo vetëm kanë shërbyer si bazë të bërjes dhe njohjes së identitetit, por më shumë se kaq, ato kanë shërbyer në plot raste si nxitje për të respektuar dinjitetin e atyre që identifikohen me një identitet të tillë.

Shqipëria dhe Kosova u bënë nga albanologjia, po aq sa nga faktorët e tjerë politikë, historikë dhe ushtarakë.

Albanologjia përveç se dije, në Shqipëri dhe në Kosovë ishte frymëzim, që nga fillimi!

Shqetësimi për albanologjinë

Por tani dua të ngre një shqetësim tjetër para jush, jo sepse i takon kësaj konference, por ngase në këtë vend janë të mbledhur studiues me ndikim në punët e albanologjisë. Shqetësimi im lidhet me trajtimin e studimeve albanologjike në Universitetin e Prishtinës. Pavarësisht se albanologjia, që kur ekziston dega e gjuhës dhe e letërsisë, 60 vjet e më shumë, i ka dhënë prestigj këtij Universiteti, sjellja UP-së ndaj albanologjisë tani kufizohet me pabesi. Kjo situatë është bërë alarmante, meqë jemi në dijeni se në të dy degët, në gjuhë dhe letërsi, pas dy afateve, sivjet nuk janë regjistruar më shumë se nga 15 studentë, që është po aq pak, sa në ndonjë katedër të albanologjisë në ndonjë vend të huaj. Nuk e di nëse e dini të gjithë ose jo, por në degët e albanologjisë në Universitetin e Prishtinës nuk ka më studime doktorale. Absurditeti më i madh është se këtyre dy degëve u është njohur statusi i degëve studimore, jo mësimdhënesë, kurse më anë tjetër u është mohuar e drejta e studimeve doktorale.

Si Akademi, bashkë me seksionin e gjuhës dhe letërsisë, mendoj se kemi përgjegjësi që këtë situatë jo vetëm ta bëjmë të ditur për opinionin e gjerë, por edhe ta identifikojmë si çështje me prioritet, në kuadër të marrëdhënieve që kemi me Universitetin e Prishtinës.

(Fjalë e mbajtur në konferencën për studimet albanologjike në Britani dhe në vendet e Europës Veriore)

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights