Britania përballet me një kërcënim serioz nga Rusia, ndërsa te Amerika nuk mund të mbështetet më si dikur
Shkruan: Tobias Ellwood
Rendi global po përkeqësohet me shpejtësi. Shtetet autoritare po bëhen gjithnjë e më të guximshme, aleancat e vjetra po vihen në provë dhe konfliktet po shumëfishohen. Më e rëndësishmja nga të gjitha, Amerika po ndjek gjithnjë e më shumë rrugën e saj, duke vënë në pikëpyetje aleancat dhe përgjegjësitë mbi të cilat është mbështetur siguria e Perëndimit për tetë dekada. Nuk është çudi që atmosfera e sotme ngjall krahasime të parehatshme me vitin 1937.
E megjithatë, Britania duket se vazhdon të jetojë në mohim. Ndërsa aleatët tanë të NATO-s po rrisin buxhetet e mbrojtjes, po shqyrtojnë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe po përgatiten seriozisht për një epokë të re pasigurie, Mbretëria e Bashkuar mbetet rrezikshëm e ekspozuar.
Kjo vetëkënaqësi mund të vihet shumë shpejt në provë, nëse Vladimir Putini i realizon kërcënimet për hakmarrje, pasi Ukraina dërgoi një valë dronësh të prodhuar në Britani thellë brenda territorit rus, duke goditur infrastrukturë kritike, përfshirë depot e naftës.
Këto sulme me rreze të gjatë nuk përbëjnë thjesht një përshkallëzim të luftës. Ato rrëzojnë iluzionin që Putini ua shet qytetarëve të tij se “operacioni special ushtarak” po zhvillohet sipas planit dhe, mbi të gjitha, se Rusia mbetet e mbrojtur nga pasojat e luftës që ai vetë e nisi.
Putini sapo ka tërhequr ambasadorin e tij nga Londra, një veprim që, jo rrallë, sinjalizon se Kremlini po përgatit diçka. Madje, kreu i CIA’s, John Ratcliffe, u dërgua këtë javë në një vizitë të papritur në Moskë për ta paralajmëruar Rusinë kundër një sulmi ndaj NATO-s.
Ndërkohë, Londra po ndan me Kievin plane tepër sekrete të raketave, ndërsa në këmbim po fiton qasje në një thesar të dhënash të ndjeshme nga fusha e betejës, informacione që ofrojnë njohuri të çmueshme mbi mënyrën se si lufton Rusia.
Kjo, natyrisht, nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Kremlinit. Për të kuptuar se çfarë mund të vijë më pas, duhet të kuptojmë mënyrën se si Putini e sheh vetë Rusinë.
Nga Ivani i Tmerrshëm te Pjetri i Madh dhe Katerina e Madhe, Rusia ka një traditë të gjatë sundimi të centralizuar nga figura të fuqishme autoritare. Përmasat e saj, shteti më i madh në botë, i shtrirë në 11 zona kohore, historikisht e kanë bërë të vështirë për t’u mbrojtur.
Cila ka qenë përgjigjja tradicionale ruse ndaj këtij problemi? Sulmi.
Sundimtarët rusë vazhdimisht kanë kërkuar siguri përmes forcës, thellësisë strategjike dhe zgjerimit territorial. Putini është mbështjellë me këtë histori dhe, ende i zemëruar nga rënia e Bashkimit Sovjetik, është i vendosur të rikthejë ndikimin rus në Evropën Lindore.
Prandaj, vendosmëria e Ukrainës për të dalë nga kjo sferë ndikimi për Putinin përfaqëson shumë më tepër sesa një problem ushtarak. Ajo sfidon të gjithë botëkuptimin e tij.
Pikërisht për këtë arsye kemi të drejtë të qëndrojmë fuqishëm përkrah Ukrainës dhe të mos tërhiqemi. Por nuk duhet të kemi asnjë iluzion se tashmë jemi në shënjestrën e Putinit dhe, po të jemi të sinqertë, nuk jemi të përgatitur për përshkallëzimin e luftës në “zonën gri” që ai mund të ndërmarrë.
Britania mund të jetë krenare për mbështetjen që i ka dhënë Ukrainës deri më tani. Vizita e Andy Burnhamit në Kiev vazhdon linjën e udhëheqjes së vendosur në fillim të luftës nga Boris Johnson dhe sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Ben Wallace. Kur të tjerët hezitonin, Britania e kuptoi se Putini nuk do ta interpretonte hezitimin si përmbajtje, por si dobësi.
Ne i dhamë Ukrainës armë dhe municione jetike, të cilat e ndihmuan të shmangte pushtimin rus. Por peizazhi strategjik po ndryshon.
Për tetë dekada, Evropa ka jetuar nën ombrellën amerikane të sigurisë. Nga NATO’ja te mbrojtja e rrugëve detare dhe frenimi i Rusisë, Uashingtoni ka qenë garantuesi përfundimtar i rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga Perëndimi.
Donald Trump po e sfidon pikërisht këtë supozim. Qasja e tij “America First” ngre pyetjen se përse Uashingtoni duhet të vazhdojë të mbajë një pjesë kaq disproporcionale të barrës së mbrojtjes së Evropës.
Në të njëjtën kohë, vijat e vjetra ndarëse po ndryshojnë. Marrëdhëniet e Moskës me Phenianin janë thelluar në mënyrë dramatike, ndërsa Koreja e Veriut po i siguron Rusisë trupa, raketa dhe municione.
Evropa, kështu, përballet me një mundësi tejet të pakëndshme, një Rusi gjithnjë e më agresive, pikërisht në kohën kur Amerika po tregohet gjithnjë e më pak e gatshme të garantojë sigurinë evropiane.
Dhe veprimet tona do të kenë pasoja për të cilat nuk jemi të përgatitur. Putinit nuk i duhet të dërgojë bombardues mbi Londër apo tanke drejt Kanalit të La Manshit për të na goditur.
Rusia tashmë po zhvillon luftë të zonës gri kundër nesh. Dhe së shpejti mund ta çojë atë disa nivele më lart.
Ne e kemi parë Novichokun të përdoret në rrugët britanike. Operacionet kibernetike të lidhura me Rusinë kanë shënjestruar institucione dhe infrastrukturë perëndimore. Anijet ruse kanë mbledhur informacione rreth kabllove dhe tubacioneve nënujore nga të cilat varet ekonomia jonë. Anijet luftarake ruse monitorohen rregullisht gjatë kalimit nëpër Kanalin e La Manshit.
Konflikti nuk kufizohet më në fusha beteje konvencionale, mijëra kilometra larg nesh. Rrjeti elektrik i Britanisë, portet, satelitët, rrjetet e telekomunikacionit, sistemi financiar, infrastruktura e ujit dhe zinxhirët e furnizimit janë të gjitha pika të mundshme goditjeje.
Dhe, ndryshe nga një sulm konvencional me raketa, sulmet e zonës gri i ofrojnë Putinit diçka që ai e çmon jashtëzakonisht shumë, mundësinë për të mohuar përgjegjësinë.
Një kabllo këputet në mënyrë misterioze. Rrjeti kompjuterik i një spitali del jashtë funksionit. Sinjalet GPS ndërpriten. Sistemet e një kompanie papritur kolapsojnë. Dezinformimi përhapet në internet. Një tjetër anije e dyshimtë shfaqet pranë infrastrukturës kritike.
Secili prej këtyre incidenteve, i marrë veçmas, mund të shpjegohet si rastësi apo problem teknik. Por, të marra së bashku, këto veprime mund ta dobësojnë një kundërshtar pa e kaluar pragun që do të shkaktonte një përgjigje konvencionale ushtarake.
Sulmi shkatërrues kibernetik ndaj Jaguar Land Rover, më i kushtueshmi në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, me një dëm të vlerësuar prej 1.9 miliardë paundësh për ekonominë, tregoi pikërisht këtë se një goditje e vetme digjitale mund të shkaktojë dëme kolosale pa u shkrepur asnjë plumb.
Dhe pikërisht këtu debati britanik për mbrojtjen mbetet rrezikshëm i vjetruar. Ne vazhdojmë ta ndajmë politikën ekonomike nga siguria kombëtare, sikur njëra t’i përkiste Ministrisë së Financave dhe tjetra Ministrisë së Mbrojtjes.
Në luftën e zonës gri, ky dallim zhduket. Një ekonomi që nuk është në gjendje t’i rezistojë ndërprerjeve të vazhdueshme është vetvetiu një dobësi e sigurisë kombëtare.
Ky është paralajmërimi për Burnhamin. Ai ka bërë një varg premtimesh të kushtueshme për politikat e brendshme, por ka folur shumë më pak për forcimin e mbrojtjes sonë dhe, në veçanti, për aftësinë e vendit për t’u përballur me goditje të brendshme.
Ndërsa Britania po e ndihmon Ukrainën ta çojë luftën gjithnjë e më thellë brenda Rusisë, duhet të presim që Putini të hakmerret.
Jo domosdoshmërisht me raketa apo ushtarë. Por duke goditur më poshtë në mënyrë të pistë, të mohueshme dhe pikërisht aty ku jemi më të dobët.
Ky nuk është argument për ta braktisur Ukrainën. Përkundrazi. Nëse kërcënimet për hakmarrje ruse e frikësojnë Britaninë deri në atë pikë sa ta detyrojnë të tërhiqet, atëherë Putini tashmë ka fituar.
Por guximi jashtë vendit duhet të shoqërohet me qëndrueshmëri brenda tij. Mbështetja e Ukrainës është gjëja e duhur. Ta lësh Britaninë rrezikshëm të pambrojtur, nuk është.
Në këtë epokë më të errët, siguria ekonomike është siguri kombëtare. Britania duhet të përgatitet për hakmarrjen e Putinit.
*Autori Tobias Ellwood është autor i librit “Ten Steps to Prevent World War Three” (“Dhjetë hapa për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore”).
