Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi ka kërkuar nga Prokuroria e Pejës një raport me shkrim lidhur me veprimet e ndërmarra për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.
Reagimi i kryeprokurorit të ri ka mbërritur katër ditë pas shpalljes së një aktgjykimi lirues ndaj tre të akuzuarve në këtë rast.
Në një njoftim për media të premten, Zyra e Kryeprokurorit tha se ka kërkuar raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga Prokuroria e Pejës.
“Në bazë të kompetencave të tij ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, pasi që Gjykata Themelore në Pejë, më datë 24 gusht 2026, ka marrë aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për këtë rast”, thuhet në njoftim.
Gjykata Themelore në Pejë i liroi të hënën tre pjesëtarët e familjes Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë, sepse vlerësoi se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk mjaftonin për t’i shpallur fajtorë.
Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj u liruan nga akuza për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj nga akuza për shtytje në vrasje të rëndë.
Një pikë e rëndësishme ishte edhe një video e Kreshnik Mehmetajt duke gjuajtur me armë, të cilën Prokuroria e kishte paraqitur vetëm në fjalën përfundimtare, duke pretenduar se arma në video ishte ajo e përdorur në krim. Për këtë arsye gjykimi ishte rihapur më herët, por në fund gjykata nuk e konsideroi të mjaftueshme për fajësi për vrasjen.
Dy prej tyre megjithatë u dënuan për armëmbajtje pa leje: Halili me 3 vjet dhe Kreshniku me 1 vit burgim.
