14.8 C
Pristina
E mërkurë, 18 Shtator, 2024

Ne jemi një brez i dëshpëruar me foto të lumtura

Fotot që bredhin rrjeteve sociale gëlojnë nga buzëqeshjet, luksi dhe një lumturi kinse e plotë. Por mjerisht pas tyre, në një pjesë frikshmërisht të madhe fshihen shpirtëra të trishtuar. Pas tyre fshihen frustrime dhe komplekse inferioriteti për një jetë të paplotësuar.

Nga Marsel Lela

Edhe pse duart janë të mbushura me smartfonë të shtrenjtë, njerëzit nuk kanë qenë kurrë më të varfër. Dhe nuk po flas për varfëri materiale. Asaj i bëhet halli. E kam fjalën për zbrazëtinë dhe varfërinë e zemrës. Dashuria që ftohet përditë i ka rrënjët pikërisht këtu.

Për varfërinë gjendet ilaçi, ndërsa për boshllikun e shpirtit nuk ka kurë, nuk ka proteza për të.

Pas fotove me plazhe dhe dukje pompoze fshihen edhe të tjerë që nuk kanë mundësi të kenë një jetë të tillë dhe në këtë pamundësi ata shpikin një realitet virtual, për të mos mbetur prapa, për t’u përshtatur.

Por në zemrën e tyre rritet si urith depresioni dhe ideja se jeta e tyre do të jetë përherë fake. Në asnjërin prej rasteve, pra, nuk ka lumturi të vërtetë.

Tek luksi është vetmia, tek pamundësia rri inferioriteti. Të dyja përcjellin depresionin dhe pakënaqësinë e kohës dhe sistemit që vetë njeriu ka ngritur. Ndërkohë është harruar altruizmi dhe dashuria për tjetrin, që është shtëpia e lumturisë së vërtetë.

Bibla jep recetën për këtë: ka më shumë lumturi të japësh se sa të marrësh!

Lëshoje pra celularin nga dora dhe shikoje në fytyrë të afërmin tënd.
Le të jetë drita e dashurisë për të ajo që ta ndriçon fytyrën, jo drita e telefonit.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here