A ndihet Zoti sot më i lehtësuar kur Ahmedi po kryen detyrat e Tij

Shkruan: Atdhe Gjoci

Kur të vret Zoti e flet për vdekjen e të tjerëve pa e kuptuar se je i vrari fundit që po flet për vdekjen si vrasje. Sot për një gazetar por edhe dje për Kastriot Myftarajn, Ahmed Kalaja apelonte njerëzit të mos luteshin për rahmet. Kush do të bënte lutje apo ngushëllim për Myftarajn, Kalaja do ta bllokonte në profilin e tij në facebook, edhe pse lutja është e mirëpritur nga Zoti. Madje Pejgamberi a.s. ka thënë se duhet të bëjmë lutje sa herë që mundemi, me zë e në heshtje. Më shpirt.

Po edhe Jezus Krishti u flijua për t’i falë njerëzimit mëkatet.

Ahmedi bën thirrje nga platforma facebook që as një njëri të mos lutet për Myftarajn. Këto thirrje i bënte nga platforma e cila është pronë e një qafiri sipas standardit të Ahmedit me shokë, por ketë s’e ka haram Ahmedi, se e shfrytëzon për përfitime parash që përmes saj, ky merr para të majme, duke i indoktrinuar njerëzit më propagandat e tij sektare që një pjesë e tyre bien ndesh me shumë se gjithçka tjetër, me ajetet kuranore.

Soji i Ahmedit sillen sikur e kanë privatizuar ‘rahmetin’, e kanë privatizuar xhenetin apo parajsën dhe ferrin. Sillen sikur ata kanë parcela që shesin në parajsë. Ahmedi dhe disa hoxhallarë i japin vetës primatin dhe rolin e gjyqtarit të ngarkuar nga vet Zoti me detyrën se kush do shkojë në ferr e kush në parajsë.

Kalaja dhe disa të tjerë sillen sikur janë vet ndërmjetësi mes njeriut dhe Zotit.

A nuk e keni thënë disa herë vet se Muhamedi a.s. ka thënë se këto lloj veprash hynë te ‘kufri’ dhe se janë të ndaluara dhe të dënueshme?

Në ligjëratat e juaja kam dëgjuar disa herë duke thënë se vdekjen çdo gjë me shpirt do ta shijojë, a nuk qenka vdekja sot shijim?

Apo nuk qenka vdekje, por vrasje?

Kam dëgjuar shume raste kur vet Ahmedi e thoshte se Zoti qafirat i lë të jetojnë gjatë, me qëllimin që ata të mbushen mëkate, ndërsa njerëzit e mirë i merr pranë vetës.

Kush qenka i miri dhe kush i keqi, sipas vet ligjëratave të Ahmedit?

Zoti nuk vret, ai është Mëshirëplotë, i Gjithëmëshirmshëm. Sot nuk qenka Mëshirëplotë, sipas Ahmedit.

Zoti në Kuran e kualifikon si haram përzierjen në punët e tij. Ne nuk e dimë të ardhmen dhe nuk dimë se ku do vemi sepse për çdo gjë që kemi bërë në ketë jetë, kanë me na u përgjigj gjymtyrët tona. Ju vet keni thënë kështu, duke aluduar se Zoti e ka thëne në Kuran.

Këto derse i kemi dëgjuar me qindra herë nga vetë Kalaja me shokë.

Ku janë sot këto ligjërata?

A nuk është kufer e haram dhe gjynah përzierja e Ahmedit në punët e Zotit? Kalaja po harron se porta e ferrit sipas fesë Islame është e hapur së pari për hoxhallarët e pastaj për tjerët, apo Ahmedi do të shpëtojë se është sekser që rri te porta ku ndahet ferri me parajsën, ku ndahet jeta dhe vdekja.

Pse e konsideron tallje ndaj Zotit një postim ku shkruan: “urime krishtlindjet jau boft allahu kabull”?. Si e kualifikoni tallje kur edhe të krishterët kanë lindur me vullnetin e Zotit, edhe ateistët e agnostikët. Si nuk paskan të drejt të tjerët të luten për Jezu Krishtin apo për Isain të cilin e pranon edhe Islami si profet?

Apo përzierja e fjalëve në gjuhën arabe me shqipen të paska penguar. Zoti, jo veç gjuhen e shkruar e të folur, por edhe atë të shpirtit e kupton dhe pranon.

Sa vepra makabre masakra e përdhunime janë bërë mbi ne, e Zoti ata njerëz s’i vrau. Sa tallje me vet Zotin janë bërë, e Zoti s’i vrau, ndoshta edhe i ka falur.

Kujdes mos e paraqitni Zotin si të pa mëshirë dhe vetëm mysliman, që vret njerëz për një varg urimi se nesër do vdesësh vet, edhe pse një filozof i lashtë grek të cilit nuk po ia përmend emrin se ndoshta ndodhet në parajsë dhe ti pastaj e dërgon në ferr ka thënë se, “Kur vdekja vjen, ti nuk je aty”.

A nuk është Zoti, Zot i gjithë Universit?

A nuk i paska në përkujdesje edhe 140 miliardë yje që iu krijoi distanca me vite drite?

A nuk është krijues i shtatë palë qiejve dhe shtatë palë tokëve, siç e thotë Kurani?

A nuk i paska në përkujdesje edhe krijesat tjera që mund të jetojnë edhe në kashtën e kumshtit dhe Rrugën e Qumështit?

Kujdes me Zotin, mos e përvetësoni se Ai iu takon edhe të tjerëve. Nuk është vetëm i myslimanëve, po as veç i të krishterëve.

Ai është energjia, era, shija, drita… që luan me yje.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here