Duke folur në tubimin e organizuar me rastin e shënimit të tridhjetë vjetorit të aksionit kroat “Stuhia”, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, ku i ka fajësuar përfaqësuesit ndërkombëtar për njohjen e zgjedhjeve të fundit të jashtëzakonshme në katër komunat e Kosovës, madje edhe duke i fyer me gjuhën e rrugaçëve.
Këto zgjedhje, në të cilat ai iu ndaloi serbëve të Kosovës të marrin pjesë, i ka quajtur si “shembull i sundimit të ligjit nga ana e ndërkombëtarëve, duke i fyer me fjalët e ulëta “Turp të keni, ju maskarenj të mjerë”, nuk ka mundur të përmbahet Vuçiqi.
„Para tre vjet e gjysmë kemi pasur zgjedhje në veri të Kosovës dhe ata i njohën rezultatet me një pjesëmarrje prej vetëm 2.5 për qind. Dhe kjo quhej sundim i ligjit dhe demokraci. Turp t’ju vijë, maskarenj të mjerë“, deklaroi Vuçiq në këtë tubim, transmeton Paparaci.
Ai ka pretenduar se në Moldavi i kishin thënë fillimisht se këto zgjedhje “nuk do të pranoheshin” dhe se do të ketë zgjedhje të reja në të cilat do të fitonin serbët.
Më çuat në Moldavi që të më thatë – jo, jo, ne nuk do ta pranojmë këtë. Perëndimi i lirë nuk do ta pranojë kurrë këtë. Vetëm pritni pak, zoti president, pritni që të kalojë pak kohë, do të ketë zgjedhje të reja në të cilat do të fitojnë serbët që janë shumicë“, ka thënë ai.
„A ndodhën këto zgjedhje? Jo. Tashmë katër vjet, pushtuesit i udhëheqin katër komuna në veri të Kosovës. Ata kanë gjetur disa shërbëtorë serbë, ashtu siç gjetën edhe nazistët në vitin ’41, siç kishin austriakët në Luftën e Parë Botërore, si bullgarët në Luftën Ballkanike… Gjithmonë ka pasur të tillë mes serbëve.”, ka pretenduar ai.
Këta janë ata që kanë shpirt shërbëtori, që duan të jenë në shërbim të tjetrit. Ata që, për të marrë pjesë në një ballo, do të hiqnin dorë nga feja, populli dhe shteti“, ka shtuar Vuçiq.