Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas një takimi që pati dje me Zonjën e Parë të Ukrainës dhe kryediplomatin ukrainas, sot menjëherë është takuar me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan-Harçenko, për t’i dhënë llogari për takimin me ukrainasit.
Vuçiq tha se me të foli për “periudhën e vështirë me të cilën përballet Serbia, luftën diplomatike në disa fronte dhe sfidat serioze me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë, si dhe në rrethinë”.
“Shkëmbyem mendime edhe për përpjekjet për destabilizimin e rajonit, si dhe për përpjekjet e Serbisë për të luftuar në arenën ndërkombëtare për ruajtjen jo vetëm të interesave të saj shtetërore dhe kombëtare, por edhe për respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe parimeve mbi të cilat një rend global duhet të mbizotërojë. Theksova se ruajtja e stabilitetit në rajon është me interes jetik për vendin tonë dhe theksova se lëvizjet arbitrare të Prishtinës dhe iniciativat si projekt-rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën nuk kontribuojnë në asnjë mënyrë në procesin e pajtimit, ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimin në rajon”.
Vuçiq tha se e ka falënderuar ambasadorin rus edhe “për qëndrimin e vendosur në lidhje me integritetin territorial të Serbisë, si dhe për respektimin e sovranitetit tonë në lidhje me politikën e pavarur dhe rrugën unike që ka zgjedhur vendi ynë”.
Ajo rrugë nuk është e lehtë, por ne po llogarisim në mbështetjen e plotë të të gjithë miqve të sinqertë të Serbisë”.
Gruaja e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, Olena Zelenska bahskë me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, kanë qëndruar në Beograd për disa vizita me krerët serbë.