Mbrëmë kryeqyteti u trondit nga dy vrasje, e lidhur me këtë janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Për rastin e vrasjes me armë zjarri së Liridona Murselit, nga Prokuroria thonë se nga informatat e deritanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje dhe se njësitë relevante janë angazhuar në ndriçimin e rastit.
“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Dalip Alshiqi” Prishtinë, ju njoftojmë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje, ku nga nata kritike e në vazhdim, Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj për Paparacin.
Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë e ndjera derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është ka qëlluar me armë zjarri.
Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Kurse, për rastin e vrasjes në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku Edon B., 28-vjeçar, dyshohet se e theri për vdekje vjehrrin e tij, Ali K., 52-vjeç, nga Prokuroria thonë se i dyshuari ende ndodhet në arrati.
“Ndërsa, për rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Ali Vitia” Prishtinë, dyshohet se një person ka privuar nga jeta viktimën (mashkull), me mjet të mprehtë-thikë. Viktima është dërguar në IML, me urdhër të prokurorit, ndërkaq rasti është iniciuar “Vrasje”. Veprimet hetimore po vazhdojnë të ndërmerren karshi këtij rasti dhe personi i dyshuar është identifikuar, mirëpo aktualisht ndodhet në arrati”, u shpreh Ulaj për Paparacin.
Tragjedia familjare ndodhi të mërkurën në mbrëmje në rrugën ‘Ali Vitia’, bëri të ditur Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë, Ali K., i goditur me thikë nga bashkëshorti i vajzës së tij, vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku”, tha policia./Paparaci