Shemsi Krasniqi, i njohur për publikun si “Shemi”, vokalisti i grupit “Ilirët”, ka ndërruar jetë papritur. Sipas raportimeve, ai është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në lagjen Dragodan, në Prishtinë
“Shemi” ishte një nga emrat më të dalluar të “Ilirëve”, grup i formuar në vitin 1981, që po atë vit solli edhe këngën e parë “Merita”. Me të në mikrofon, “Ilirët” u bënë ndër grupet muzikore më aktive dhe më të njohura të skenës vendore gjatë viteve ’80 dhe ’90.
Në vitin 2012, grupi publikoi albumin “Moj Kosovë”, ndërsa kënga “Rini Thuaja Këngës” u shoqërua me videoklip dhe më pas u prezantua edhe në “Netët e Klipit Shqiptar 13” në vitin 2014.
Përtej këtyre projekteve, repertori i “Ilirëve” me Shemin mbetet i lidhur ngushtë me kujtesën muzikore të publikut, ndërsa shumë nga këngët e tyre vazhdojnë të dëgjohen gjerësisht edhe sot.
