Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu ka reaguar ashpër lidhur me një deklaratë që ka dhënë vajza e kryeshefit të stacionit policor në Medvegjë, lidhur me protestën e 3 nëntorit.
Lutfiu në një postim në Facebook ka shkruar se pas protestës, e njëjta i kishte quajtur shqiptarët minj.Pas protestës në Medvegjë kishte reaguar (sipas informaciove tona) vajza e kryeshefit të stacionit policor në Medvegjë, e cila është police. Në fillim të reagimit të saj ajo kishte deklaruar: “Prej nga gjithë kjo liri, kush po i jep mbështetje këtyre minjëve dhe deri ku do shkojnë”. Pastaj: “Policët bënë një punë të shkëlqyer dhe pasivizuan adresat e tyre””, ka shkruar Lutfiu.
Ai ka shtuar se për këto deklarata skandaloze do t’i dërgojë shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, OSBE-së, Ambasadës Amerikane në Beograd dhe zyrës së BE-së.
“Imagjinoni, një zyrtare i quan bashkëqytetarët e saj minjë, dhe i lavdëron kolegët e saj pse i pasivizuan mijëra qytetarë shqiptarë.
Lidhur me këto deklarata skandaloze sot do t’i dërgoj shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, OSBE-së, Ambasadës Amerikane në Beograd, zyrës së BE-së.
Prezenca dhe angazhimi i saj do duhej të siguronte siguri për gjithë qytetarët, ndërsa ajo nxit urrejtje, prandaj duhet të suspendohet nga puna sa më parë. Të shtypur po, të nënshtruar JO!”, ka shkruar Luftiu.
Të indinjuar prej viteve të tëra të diskriminimit prej autoriteteve të Serbisë, shqiptarët protestuan më 3 nëntor në komunën e Medvegjës në Luginën e Preshevës. Protesta ishte e treta në muajt e fundit, pas protestave të mbajtura në dy komunat tjera në Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Protestuesit kanë marshuar deri te stacioni policor në Medvegjë, të prirë prej liderëve të tyre politikë, dhe kanë vendosur pankarta shkruar shqip: “Kthema Adresën”.