Në një takim virtual të mbajtur këtë të diel, udhëheqësit kryesorë nga Koalicioni i të Vullnetshmëve, aleatët kryesorë evropianë dhe ndërkombëtarë të Ukrainës, diskutuan strategjitë për mbështetjen e vazhdueshme të vendit në sfidat aktuale.
Gjatë videokonferencës, liderët u informuan për rezultatet e takimit midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Takimin e drejtoi Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili falënderoi veçanërisht përkrahësit nga Australia dhe Japonia, ndërsa theksoi rëndësinë e përgatitjes për vizitën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, e cila pritet të zhvillohet nesër.
Macron njoftoi se synimi kryesor i takimit ishte sqarimi i garancive të sigurisë për Ukrainën dhe organizimi i bashkëpunimit të ardhshëm me SHBA-në, Rusinë dhe Evropën në dialogun e mëtejshëm për paqen.
Në takim morën pjesë edhe figura të rëndësishme si Sir Keir Starmer, Giorgia Meloni dhe Friedrich Merz, ndërsa Zelensky ishte i shoqëruar nga Ursula von der Leyen.
Antonio Costa, president i Këshillit Evropian , tha se “uniteti transatlantik është parësor në këtë moment” për të arritur një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Siç e theksova gjatë takimit të sotëm të Koalicionit të të Vullnetshmëve, nëse nuk arrihet një armëpushim, BE-ja dhe SHBA-të duhet të rrisin presionin mbi Rusinë”, tha ai, duke shtuar se mirëpret “gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën”.
“Sot, mora pjesë në një takim të krerëve të shteteve dhe qeverive nga Koalicioni i të Vullnetshmëve në mbështetje të Ukrainës”, shkroi Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, në X pak kohë më parë. Ai shtoi se “ekziston një konsensus i fortë midis vendeve të Koalicionit mbi nevojën për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës”.
Kryeministrja estoneze Kristen Michal tha: “Estonia do të bëjë pjesën e saj”, pas takimit. “Ne duhet të përqendrohemi në garancitë e sigurisë së Ukrainës. Kjo do të thotë parametra kyç sa më afër të jetë e mundur me Nenin 5”, postoi ai në X, duke iu referuar nenit të NATO-s që i detyron anëtarët të reagojnë në rast se njëri sulmohet.
Presidenti lituanez Gitanas Nausëda shtoi se Ukraina ka nevojë për “garanci të vërteta sigurie”, duke përfshirë forca sigurie me mbështetjen e SHBA-së. “Mbështetja ushtarake është jetike që Ukraina të fitojë ndikim në negociata”, postoi ai në X.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu kënaqësinë e tij për takimin e sotëm në Bruksel, në të cilin morën pjesë anëtarë të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”.
“Jam mirënjohës ndaj të gjithë pjesëmarrësve të Koalicionit të të Gatshmëve për bisedën e sotme në Bruksel – në prag të takimit në Uashington me Presidentin Trump. Ishte shumë i dobishëm. Ne vazhdojmë të koordinojmë qëndrimet tona të përbashkëta. Ekziston mbështetje e qartë për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Të gjithë pajtohen që kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, vuri në dukje ai.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se “të gjithë mbështesin që çështjet kryesore të zgjidhen me pjesëmarrjen e Ukrainës në një format trepalësh – Ukraina, SHBA-të dhe udhëheqësi rus”.