Sot në orën 17:00 në Prishtinë mbahet protesta gjithëpopullore me moton “Kundër padrejtësisë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Tubimi është organizuar nga organizatat e dala nga lufta dhe synon të kundërshtojë, siç thuhet, “mbajtjen e padrejtë” të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen për krime lufte. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, konfirmoi dje se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet për organizimin e protestës, përfshirë koordinimin me qytetarët dhe organizimin e transportit.
“Për ata që dëshirojnë të vijnë me autobusë, parkingu ‘Prishtina’ pranë Pallatit të Rinisë do të jetë i gatshëm për pritjen e tyre”, deklaroi Syla.
Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve për të dërguar një mesazh të qartë solidariteti, si ndaj të akuzuarve, ashtu edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
“Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm të dalim në mbështetje sa herë që kërkohet nevoja”, shtoi ai.
Protesta ka marrë mbështetje të gjerë nga partitë politike shqiptare, deputetë, organizata joqeveritare dhe qytetarë nga mbarë vendi.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 në Dhomat e Specializuara në Hagë. /Korrespodenti