5.7 C
Pristina
E mërkurë, 28 Janar, 2026

Skandali seksual trondit Malin e Zi, dorëheqje dhe hetime për zyrtarë të lartë pas publikimit të videove intime

Prej gati një muaji, Mali i Zi po përballet me një skandal seksual që ka tronditur opinionin publik dhe skenën politike, pas publikimit të videove dhe fotografive me përmbajtje intime që përfshijnë zyrtarë të lartë shtetërorë. Ngjarja ka sjellë dorëheqje të shumta dhe nisjen e hetimeve nga autoritetet për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë.

Në qendër të skandalit janë Mirjana Pajković, deri të premten Sekretare Shteti në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, dhe Dejan Vukšić, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB) dhe ish-këshilltar i presidentit Milatović për sigurinë. Të dy kanë dhënë dorëheqjen duke përmendur arsye personale.

Pajković ka prezantuar historinë e saj për televizionin malazez “Dana”, duke folur për kërcënimet dhe shantazhet nga Vukšiç, si dhe për reagimin joadekuat të autoriteteve shtetërore ndaj situatës. Ajo ka theksuar se ligji në Mal të Zi nuk aplikohet njësoj për të gjithë dhe ka denoncuar mungesën e barazisë gjinore dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Sipas Pajković, materialet intime janë përdorur për të ushtruar presion ndaj saj dhe për të dëmtuar karrierën e saj, duke përfshirë edhe një audio-incizim ku dyshohet se dëgjohet zëri i Vukšiç, i cili e kërcënonte. Prokuroria e Podgoricës ka hapur dy procedura penale për rastin, ndërsa hetimet janë ende në vazhdim.

Nga ana e tij, Vukšiç ka mohuar çdo lidhje me publikimin e materialeve intime, duke deklaruar se ka parë përmbajtjen vetëm kur u shpërnda ilegalisht online. Ai ka pretenduar gjithashtu se Pajković “ia ka tjetërsuar në mënyrë të paligjshme telefonin celular”, duke shkelur privatësinë e tij, dhe se audio-incizimi i përfolur është reagim ndaj kësaj situate.

ANB ka hedhur poshtë çdo përfshirje në skandal, duke sqaruar se korrespondenca private dhe materialet e publikuara nuk kanë lidhje me aktivitetin e saj dhe nuk janë objekt interesi për agjencinë.

Ky rast ka ndezur debat të gjerë mbi privatësinë, etikën e zyrtarëve publikë dhe mënyrën se si autoritetet e Malit të Zi trajtojnë çështjet që prekin të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME