Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Viktima të këtyre rasteve shumë shpesh janë edhe të miturat, të cilat përballen me ngacmues, sidomos në rrjete sociale, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është denoncuar dje nga një vajzë në Shtime, e cila e ka raportuar një person për ngacmim.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari është një 35-vjeçar, i cili po dyshohet se në vazhdimësi i ka dërguar mesazhe të ndryshme viktimës përmes rrjeteve sociale.
Sinjali mëson se përveç ngacmimeve, i dyshuari edhe e ka ofenduar vajzën me fjalë të ndryshme për muaj të tërë.
Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e raportuar atë që ka ndodhur.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar, i cili është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Ngacmimi’.