15.7 C
Pristina
E martë, 22 Tetor, 2024

Shtatoret në Prishtinë, të papastra e të dëmtuara

Shtatorja e heroit të kombit, Zahir Pajaziti, nuk po pastrohet rregullisht nga glasat e shpezëve.

Gjendje e njëjtë është edhe te shtatorja e humanistes Nënë Tereza dhe te ajo e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Por edhe kur këto pastrohen nga institucionet, artistët thonë se nuk përdoren mjetet e duhura, të cilat po ndikojnë në dëmtim të materialit.

“Herë pas here i pastrojnë prej komunës edhe nuk e kanë një pastrim të duhur, një mirëmbajtje të duhur”, tha Agon Qosa, skulptor.

“Unë kisha me i lutë të gjithë entuziastët, të gjithë ata njerëz të dëshirës të mirë që kanë qejf në vizëllima kështu edhe ju pëlqen diçka medoemos duhet me vizëllu mos me i prek! Nuk lahen ato veç me ujë”, tha Skender Boshtrakaj, artist.

Gjendja e shtatoreve të figurave me rëndësi për vendin, është shqetësuese edhe për qytetarët, që thonë se shpesh hasin edhe në mbeturina rreth tyre.

“Shqetësuese është, edhe e madhe, duhet me i mirëmbajtë të gjitha këto, duhet me u kujdes komuna”, thotë një qytetar.

“Përgjegjës janë ata të pastrimit që e kanë pagesën që e marrin prej shtetit, duhet me i mirëmbajtë dikush, ato dikur mujnë edhe me u prishë”, thotë një tjetër qytetar.

Edhe Fatmir Sopi nga Organizata e Veteranëve të Luftës thotë se këto shtatore meritojnë trajtim më dinjitoz, gjë që nuk e vëren gjatë homazheve në ditë të rëndësishme.

“Rastis që ato mos të jenë të mirëmbajtura, të jenë të përlyera, përreth tyre ka gjithandej mbeturina. Duhet të jetë dikush përgjegjës për mirëmbajtjen e shtatoreve dhe të monumenteve tjera në kryeqytet”, tha Sopi.

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë tregoi me shkrim se është duke u marrë me sigurimin e shërbimit të nevojshëm të mirëmbajtjes së shtatoreve.

“Aktualisht, jemi në proces të prokurimit për mirëmbajtje, e cila përfshin edhe fontanat, statujat, bustet dhe pllakat përkujtimore”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prishtinë.

Tashmë tenderi për këtë çështje është i hapur dhe do të zgjasë deri më 18 qershor, vlera e të cilit është 30 mijë euro. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here