SHBA ‘largon’ Rusinë dhe Kinën nga Venezuela – merr kontrollin e naftës që dikur ato e zotëronin

Kompania amerikane e naftës North American Blue Energy Partners (NABEP) do të marrë nën kontroll disa fusha naftëmbajtëse në Venezuelë që më parë administroheshin nga kompani kineze dhe një kompani ruse, thanë për Reuters dy zyrtarë amerikanë.

Marrja e kontrollit është pjesë e një marrëveshjeje të gjerë për prodhimin e naftës, të njoftuar javën e kaluar nga presidenti amerikan Donald Trump. NABEP do të marrë 14 kontrata të reja dhe pritet të kontrollojë gjithsej 17 projekte në Venezuelë.

NABEP më parë ishte në pronësi të manjatit amerikan të naftës Harry Sargeant, ndërsa tani kontrollohet nga biznesmeni venezuelian Alejandro Betancourt. Kompania do të ketë kontrollin operacional, ndërsa qeveria amerikane do të ketë të drejta mbi 35% të aksioneve dhe qasje preferenciale në 20% të prodhimit.

Shtëpia e Bardhë tha se NABEP i ka dhënë Departamentit amerikan të Shtetit të drejtën e parë për të blerë 80% të mbetur të prodhimit. SHBA-ja do të ketë gjithashtu të drejtën e vetos ndaj bordit të kompanisë, ndërsa shumica e anëtarëve të tij duhet të jenë shtetas amerikanë.

Marrëveshja i jep kompanive amerikane një rol më të madh në asetet strategjike të naftës së Venezuelës, duke dobësuar pozitat e kompanive kineze dhe ruse që prej vitesh kanë pasur ndikim të rëndësishëm në sektorin energjetik të vendit. Trump kishte njoftuar se SHBA-ja kishte siguruar qasje në rreth 64 miliardë fuçi të rezervave të provuara të naftës venezueliane.

Pesë nga 14 fushat e reja janë operuar më parë nga kompani kineze, ndërsa njëra nga një kompani ruse. Dy projekte ishin nën kontrollin e China Concord Resources, e sanksionuar nga SHBA-ja në vitin 2019 për aktivitete të lidhura me Iranin. Projekte të tjera ishin operuar nga Sinopec dhe China National Petroleum Corp.

Dy projekte të tjera ishin operuar nga kompani të lidhura me Alex Saab, ish-bashkëpunëtor i afërt i Nicolas Maduros, i cili aktualisht mbahet në paraburgim në SHBA. Një tjetër fushë naftëmbajtëse ishte e lidhur me një nip të Cilia Flores, bashkëshortes së Maduros.

Ndërkohë, administrata Trump po zhvillon bisedime me autoritetet e përkohshme të Venezuelës dhe përfaqësuesit e Asamblesë Kombëtare të vitit 2015 për çështjet kushtetuese dhe ligjore të tranzicionit. Uashingtoni e konsideron këtë asamble si organin e fundit legjislativ të zgjedhur dhe funksional sipas kushtetutës së Venezuelës, dhe një marrëveshje me të mund të krijojë bazën ligjore për ringjalljen e industrisë së naftës.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME