SBASHK-u me kërkesë urgjente: Të rritet vlera e koeficientit të pagave së paku 30 për qind dhe të hyjë në zbatim që nga shtatori
SBASHK-u me kërkesë urgjente: Të rritet vlera e koeficientit të pagave së paku 30 për qind dhe të hyjë në zbatim që nga shtatori
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj
Para 40 min
Sindikata e Bashkuar, Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të ditur se i kanë dërguar shkresë zyrtare kryeministrit Albin Kurti dhe ministres, Arbërie Nagavci me kërkesat që urgjentisht të rritet vlera e koeficientit të pagave për së paku 30 për qind dhe të hyjë në zbatim që nga shtatori i këtij viti.
Në një njoftim për media, SBASHK thekson se vazhdon takimet konsultative me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve, duke analizuar realizimin e detyrave konkrete në shërbim të realizimit të kërkesave të anëtarësisë.
“Në takimin e mbajtur në orët e vona të së hënës, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala e koordinatorin për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, kanë informuar përfaqësuesit e të punësuarve në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete, se duke realizuar detyrat nga takimet paraprake më 3 shtator i kanë dërguar shkresë zyrtare kryeministrit Kurti dhe ministres Nagavci me kërkesat që urgjentisht të ngritet vlera e koeficientit të pagave për së paku 30% dhe të futet në zbatim që nga shtatori i këtij viti”, thuhet në njoftim.
Po ashtu është kërkuar që të zbatohet menjëherë vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. AGJ 2113/23 i datës 16.01.2023, e veçmas ai lidhur me pagesën e viteve të përvojës së punës në mënyrë që edhe 15 vitet e para të punës për të gjithë punëtorët e sektorit publik nga 0.25 %, të kthehet si ka qenë në 0.5%.
Në fund të këtyre shkresave, SBASHK-u ka shprehur gatishmërinë për takim me kryeministrin Kurti dhe ministren Nagavci për të dhënë sqarime shtesë për këto dy kërkesa legjitime të anëtarësisë.
Po ashtu, pjesëmarrësit janë informuar se grupet punuese kanë përgatitur gjithë materialin për nismën qytetare lidhur me ndryshimet në Ligjin e skemave pensionale që ka të bëjë me kërkesën që vitet e 90-ta dhe vitet pasuese deri kur ka filluar së funksionuari Trusti Pensional i Koosvës, të njihen si kontributdhënëse që do të ishte ndihmesë jo vetëm për të punësuarit e arsim, por edhe për gjithë të tjerët që të arrijnë vitet e duhura kontributpaguese dhe të gëzojnë pension të punës e jo të mbesin vetëm me pensionin e pleqërisë pas dekadave të kaluara në punë.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut, informatën për fillimin e kësaj nisme qytetare e kanë dorëzuar në zyrën gjegjëse të Parlamentit të Kosovës duke shpallur kështu fillimin e aktivitetit për mbledhjen e numrit të duhur të nënshkrimeve nga punëtorët e arsimit, nga pensionistët, por edhe nga qytetarët e Kosovës për ta realizuar me sukses këtë nismë qytetare.
“Pjesëmarrësit e këtij takimi, kanë autorizuar zyrtarin ligjor të SBASHK-ut, Blendor Shatri që të jetë përgjegjës për rrjedhën e mbarë të kësaj iniciative qytetare. Në këtë takim, pjesëmarrësit janë informuar se komisioni gjegjës ka punuar Draftin fillestar të Kontratës së re Kolektive të Arsimit të Kosovës dhe ky draft nga tani do të jetë në diskutim publik te anëtarësia, duke pritur edhe propozime konkrete të cilat mund të përfshihen në tekstin final të Draft Kontratës, e cila do t’i dorëzohet MASHTI-t për të nisur procesi i negocimit dhe ardhja te teksti i pranueshëm i Kontratës së re Kolektive të Arsimit për t’u nënshkruar pastaj nga ministrja Nagavci në emër të MASHTI-t dhe kryetarit Jasharaj në emër të SBASHK- ut”, thuhet tutje.
Referuar njoftimit të SBASHK-ut, kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve, janë shprehur se SBASHK-u pret që institucionet të dëshmohen se janë për dialog dhe nuk i duan grevat në arsim. /Telegrafi/