19.5 C
Pristina
E mërkurë, 19 Qershor, 2024

Rusia e paralajmëron ShBA-në për “pasoja fatale” rreth armëve amerikane në Ukrainë

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara ballafaqohen me “pasoja fatale”, nëse i shpërfillin paralajmërimet e Moskës që të mos e lejojnë Ukrainën të përdorë armë të ofruara nga Uashingtoni për të sulmuar caqe brenda Rusisë.

Ryabkovi po e komentonte vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili javën e kaluar e miratoi përdorimin e armëve të ofruara nga ShBA-ja për të goditur caqe brenda Rusisë që ishin të përfshira në sulme ndaj rajonit Kharkiv të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.

“Do të doja që t’i paralajmëroj udhëheqësit amerikanë kundër llogaritjeve të gabuara që do të mund të kishin pasoja fatale. Për arsye të panjohura, ata e nënvlerësojnë seriozitetin e kundërshtimit që mund ta marrin” – citohet të ketë thënë Ryabkovi, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA.

Ai iu referua komenteve të javës së kaluar nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili tha se shtetet e NATO-s po luajnë me zjarr dhe se ato rrezikojnë një konflikt më të thellë global – njëra nga një varg paralajmërimesh nga Moska për rrezikun e një eskalimi serioz.

“Unë u bëj thirrje këtyre figurave [në ShBA]… që të ndajnë një pjesë të kohës, të cilën ata mësa duket e kalojnë në video-lojëra, duke gjykuar nga lehtësia e qasjes së tyre, në studimin në hollësi të asaj që u tha nga Putini“ – shtoi zyrtari rus.

Ai më tej tha se Putini ka dhënë “një paralajmërim shumë domethënës dhe ai duhet të merret me seriozitetin më të lartë”.

Presidenti rus tha se Perëndimi do të ishte drejtpërdrejt i përfshirë në çfarëdo përdorimi të armëve të tij nga Ukraina për të sulmuar thellë brenda Rusisë, sepse për sulme të tilla do të nevojitej ndihma satelitore, ushtarake dhe e inteligjencës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha javën e kaluar se NATO-ja e ka të drjetën për ta ndihmuar Ukrainën për ta mbajtur të drejtën për vetëmbrojtje dhe se kjo gjë nuk e bën aleancën palë në konflikt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në fundjavë se Kievi i është mirënjohës Uashingtonit që ia ka lejuar përdorimin e sistemeve raketore HIMARS në rajonin e Kharkivit, por se kjo nuk është e mjaftueshme. Ukraina për një kohë të gjatë ka argumentuar se kufizimet rreth mënyrës së përdorimit të armëve të ofruara nga Perëndimi po e kufizojnë në masë serioze aftësinë e saj për ta mbrojtur veten.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights