Shkencëtarët e MIT-it (Massachusetts Institute of Technology) kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të zbuluar dy antibiotikë të rinj, të aftë për të luftuar superbakteret si gonorrea dhe MRSA, të cilat janë rezistente ndaj ilaçeve ekzistuese.
Ky zbulim shënon një hap të rëndësishëm në betejën kundër infeksioneve bakteriale rezistente, që vlerësohet se shkaktojnë rreth pesë milionë vdekje në vit në mbarë botën.
Ekipi i MIT-it shfrytëzoi algoritme të AI gjeneruese për të analizuar mbi 36 milionë kompaunde të mundshme. Pasi u skanuan për veti antimikrobike, kandidatët më të mirë u zbuluan se kishin struktura krejtësisht të ndryshme nga çdo antibiotik i njohur më parë. Këto molekula, të quajtura NG1 dhe DN1, funksionojnë në një mënyrë të re: duke shkatërruar membranat e qelizave bakteriale.
Kjo metodë e re veprimi synon të anashkalojë rezistencën që bakteret kanë zhvilluar ndaj mekanizmave të vjetër të antibiotikëve.
Profesori James Collins, autori kryesor i studimit, e theksoi fuqinë e AI në këtë proces. “Puna jonë tregon fuqinë e AI nga këndvështrimi i dizajnit të ilaçeve dhe na mundëson të shfrytëzojmë hapësira kimike shumë më të mëdha që më parë ishin të paarritshme,” shpjegoi ai.
Studimi, i cili u publikua të enjten në revistën shkencore Cell, është veçanërisht i rëndësishëm sepse dy compound-et e zbuluara, NG1 (kundër gonorresë) dhe DN1 (kundër MRSA-së), u treguan efektivë në testet e para. Tani, një organizatë jofitimprurëse po punon për t’i modifikuar ato në mënyrë që të jenë të përshtatshme për testime të mëtejshme klinike.
Një nga autorët kryesorë të studimit, Aarti Krishnan, theksoi qëllimin e ekipit për të eksploruar rrugë të reja. “Ne donim të heqim qafe çdo gjë që do të dukej si një antibiotik ekzistues, për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së rezistencës antimikrobike në një mënyrë thelbësisht të ndryshme,” tha ajo.
“Duke u futur në zona të paeksploruara të hapësirës kimike, qëllimi ynë ishte të zbulonim mekanizma të rinj veprimi.” /Korrespodenti