Rënie e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, por në Kosovë nuk ka lëvizje

Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të mërkurën në tregjet ndërkombëtare, të ndikuara nga rritja e rezervave të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shqetësimet për ofertën e tepërt në treg, shkruan Invezz.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, nafta Brent, që shërben si referencë për tregjet evropiane, tregtohej me 93,10 dollarë për fuçi rreth orës 13:10 GMT, duke shënuar rënie prej 4 centësh.

Ndërsa, çmimi i naftës në Kosovë vazhdon të jetë i lartë dhe i pa ndryshuar që nga 11 nëntorti.

Sot, një litër naftë në Prishtinë kushton mesatarisht 1.79 euro, dhe ka mbetur i pa ndryshuar ashtu siç njoftoi MINTI që nga 11 nëntor.

Ndërkohë, nafta referuese amerikane West Texas Intermediate (WTI) për dorëzimin në dhjetor ra me 1.65 dollarë, ose 1.42%, në 84.60 dollarë.

Të dyja llojet e naftës po shkojnë drejt një rënieje prej rreth 20% gjatë nëntorit, në kushtet e rritjes së eksporteve nga Lindja e Mesme.

Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në uljen e çmimeve është rritja e rezervave amerikane të naftës.

Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës (API), rezervat e naftës bruto në SHBA janë rritur për 5,28 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 13 nëntor.

Po ashtu, rezervat e benzinës janë shtuar për 5,12 milionë fuçi, ndërsa ato të distilateve, ku përfshihen nafta dizel dhe karburantet për ngrohje, janë rritur për 351 mijë fuçi.

Rritja e rezervave ka shtuar shqetësimet e investitorëve se oferta mund të tejkalojë kërkesën në tregjet globale.

Megjithatë, rënia e çmimeve është kufizuar nga tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të naftës.

Sipas raportimeve, pasiguria për sigurinë e transportit detar vazhdon të ndikojë në tregjet energjetike.

Edhe gazeta ekonomike amerikane The Wall Street Journal ka raportuar se pritshmëritë për furnizim më të madh me naftë, rritja e prodhimit nga vendet e OPEC+ dhe rezervat amerikane po ushtrojnë presion mbi çmimet.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME