Kos për incidentin me këngën serbe: I shpreha keqardhje Kurtit

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka konfirmuar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas incidentit me interpretimin e një kënge nacionaliste serbe në një koncert të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel më 15 nëntor.

“Isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen që ndodhi diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”, tha Kos në debatin e zhvilluar më 17 nëntor në Komisionin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të [Dhomës së Përfaqësuesve] të Belgjikës.

Ajo konfirmoi se repertorin e kishte zgjedhur grupi muzikor i angazhuar për koncertin në fjalë dhe se Komisioni Evropian, si organizator i ngjarjes, nuk e kishte miratuar paraprakisht.“Sa i përket pjesës muzikore: siç e thashë, grupit muzikor i dhamë udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç.

Më vjen shumë keq që ndodhi kjo sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë gjithë mbështetjen tonë”, tha Kos e cila edhe pas ngjarjes kishte shprehur keqardhje për interpretimin e kësaj kënge.Më 15 nëntor, në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.
Teksti i saj përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.
Gjatë koncertit u interpretua vetëm melodia, pa u kënduar vargjet, ndërsa titulli i këngës u shfaq në ekran, sipas dëshmive të pjesëmarrësve.Kjo nxiti reagime të shumta nga përfaqësues qeveritarë dhe të opozitës në Kosovë dhe në Parlamentin Evropian, të cilët kërkuan shpjegime për përzgjedhjen e repertorit.

Muzikanti slloven Marko Hatlak, i grupit Kapobanda që e interpretoi këngën, më pas kërkoi falje përmes një reagimi në rrjetet sociale.Sipas tij, përzgjedhja e këngës ishte një gabim i paqëllimshëm, pasi nuk ka qenë në dijeni të kontekstit historik dhe politik të këngës.
Në ngjarjen e organizuar në Bruksel, shteti i Kosovës nuk mori pjesë.Megjithatë, në këtë ngjarje ishte e pranishme Donika Emini, eksperte e çështjeve evropiane.Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se beson që përzgjedhja e melodisë së këngës serbe nuk ishte rezultat i pakujdesisë.

Sipas saj, organizatorët do të duhej të kishin treguar më shumë kujdes ndaj ndjeshmërive historike dhe politike të rajonit.“Ndikimi është shumë i madh”, deklaroi ajo, duke paralajmëruar se ngjarja mund të ndikojë negativisht jo vetëm në dialogun Kosovë-Serbi, por edhe në atmosferën e përgjithshme të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Brukselit.

BE-ja e ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe u kërkon të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve.
Procesi ka ngecur viteve të fundit, teksa që nga shtatori i vitit 2023, palët nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë./REL

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME