Jakup Krasniqi do të qëndrojë në Kosovë për katër ditë.
Kështu së paku është informuar Policia e Kosovës.
Kjo informatë është siguruar jozyrtarisht nga gazetarja e Klan Kosova, Endrita Bajrami, nga burime brenda Policisë së Kosovës.
Gjithnjë sipas këtij burimi, qëndrimi i Krasniqit në Kosovë do të vazhdojë për këtë periudhë kohore, përveç nëse ndodh diçka e papritur, çka do të çonte në ndërprerjen e vizitës së tij.
Jakup Krasniqi mbërriti në orët e paradites së sotme në shtëpinë e tij në Velani të Prishtinës, nën përcjellje të forcave policore të Kosovës dhe të EULEX-it.
Vizita e tij, sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, vjen “për arsye humanitare bindëse”.
Ndërkaq, siç është mësuar, vizita e tij vjen pas gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdijes.
E pas gati gjashtë orësh qëndrimi në shtëpi me më të dashurit e tij, Krasniqit iu desh të kthehej në hapësirat e EULEX-it, ku supozohet se do ta kalojë natën.
Kjo ishte vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë, që nga arrestimi në nëntor të vitit 2020.
Edhe më 10 tetor 2024, ai erdhi në vendlindje, pasi i vdiq vëllai.
