Një vetëaksident i rëndë trafiku, sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren Jug-Vermicë, rreth orës 14:40, la të vdekur të riun nga Peja, Andi Murati, i cili gjatë momentit tragjik për të, po viziste një motoçikletë, raporton GazetaDemos.
I riu, me profesion ishte mjek, por që siç njoftojnë miqtë e tij, pasion kishte motorin, mjet me të cilin udhëtonte shpesh, e që fatkeqësisht nga i cili dyshohet që sot gjeti vdekjen.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, i cili tha se janë duke u kryer të gjitha procedurar hetimore, për të zbuluar shkakun e këtij aksidenti.
“Me datë 13.10.2024 rreth ores 14:40, është pranuar informata se në Autostraden “Ibrahim Rugova” Km-3; drejtimi Prizeren Jug-Vermicë është shkaktuar një Vet-Aksident trafiku me Motor. Njesitë policore për kontroll të autostrades, përfshirë edhe njesinë e hetimeve kanë dal ne vendin e ngjarjes për procedura të nevojshme hetimore. Mjekët kujdestar kanë konstatuar se personi ka qenë pa shenja jete”, tha Hoxha.
Nga mediat lokale, tashmë janë publikuar video të viktimës, ku shihet pasioni i zjarrtë i të ndjerit që kishte për motoçikletat, duke kryer edhe manovra goxha të rrezikshme në autostradë.
Humbjen tragjike të të riut po e përballojnë rëndë edhe shokët e tij, të cilët kanë shprehur lavdet më të mira për të, duke e vlerësuar si një njeri punëtor, e të sjellshëm.
Ndryshe, Policia e Kosovës vazhdimisht ka apeluar vozitësit për kujdes të shtuar, me çrast këtë vit janë shtrënguar edhe masat ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit, teska vazhdimisht në terren po kryehen kontrollet me qëllim respektimin e ligjit për trafikun rrugor.