Pse u tensionua marrëdhënia? Çfarë deklaroi Putini të premten që “zemëroi” Trumpin

Marrëdhënia mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin duket se është tensionuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit.Gjatë një interviste për NBC News, Trump shprehu zhgënjimin e tij ndaj qëndrimit të Kremlinit mbi arritjen e një armëpushimi në Ukrainë, duke e cilësuar atë si një qasje të gabuar. “Kjo nuk është rruga e duhur,” theksoi Trump.

Deklaratat e presidentit amerikan erdhën si përgjigje ndaj komenteve të Putinit të bëra të premten në Murmansk, ku ai propozoi krijimin e një qeverie të përkohshme në Ukrainë nën mbikëqyrjen e OKB-së. Sipas Putinit, një qeveri e tillë do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve demokratike dhe do t’i hapte rrugë bisedimeve të paqes me Moskën.

“Teknikisht, është e mundur të diskutohet një qeverisje e përkohshme në Ukrainë me Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe partnerët tanë,” deklaroi Putin, duke përmendur shembuj të ndërhyrjes së OKB-së në Timorin Lindor dhe ish-Jugosllavi.Në përgjigje, Trump kundërshtoi fuqishëm këtë ide, duke theksuar se ndryshimi i udhëheqjes në Ukrainë do të komplikonte arritjen e një marrëveshjeje paqeje për një kohë të gjatë.

Trump paralajmëroi se nëse Rusia nuk arrin një marrëveshje për ndalimin e konfliktit në Ukrainë dhe nëse konfirmohet se Moska është përgjegjëse për përshkallëzimin e luftës, atëherë SHBA do të vendosë tarifa 50% mbi naftën ruse.

“Nëse blini naftë nga Rusia, nuk do të mund të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara,” deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se masa të rrepta ekonomike do të jenë në tryezë.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi ndaj zhvillimeve të fundit, duke kritikuar ashpër politikën ruse. Në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit, ai theksoi se Putini nuk ka asnjë interes për diplomacinë dhe se Rusia vazhdon të kundërshtojë çdo përpjekje për armëpushim.

“Prej disa javësh, SHBA ka propozuar një armëpushim pa kushte. Dhe pothuajse çdo ditë, në vend të një përgjigjeje pozitive, Rusia na sulmon me dronë, bomba, artileri dhe raketa balistike,” u shpreh Zelensky.

Ai gjithashtu bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar mbi Moskën, duke theksuar se sanksionet dhe masat e ashpra ekonomike janë e vetmja mënyrë për të ndaluar agresionin rus.

“Rusia meriton presion të shtuar, të gjitha masat që mund të thyejnë kapacitetin e saj për të bërë luftë dhe për të mbështetur një regjim që nuk dëshiron asgjë tjetër përveç konfliktit,” përfundoi presidenti ukrainas.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here