Duke e përshkruar Estoninë si “të vogël, tokë të sheshtë dhe të ekspozuar”, raporti thotë se një stërvitje ushtarake e vitit 2016 parashikoi se forcat ruse mund ta pushtonin kryeqytetin brenda 60 orësh gjatë një pushtimi.
Por, raporti gjithashtu thekson se Rusia do të ketë nevojë për 5-10 vjet pas përfundimit të luftës në Ukrainë “për t’u riorganizuar dhe riarmatosur për një sulm të tillë”, që është një periudhë shumë më e gjatë se ajo e parashikuar nga Rutte, Pistorius dhe të tjerët.
Vlen të përmendet se zyrtarët amerikanë nuk kanë përsëritur këto paralajmërime evropiane.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, që është publikuar së voni, argumenton se “aleatët evropianë gëzojnë një avantazh të konsiderueshëm të pushtetit të fortë mbi Rusinë sipas pothuajse çdo kriteri, përveç armëve bërthamore”.
Por, ajo gjithashtu pranon nevojën për angazhim diplomatik amerikan “për të zvogëluar rrezikun e një konflikti midis Rusisë dhe shteteve evropiane”.
“Luftënxitësit”
Zyrtarët e Kremlinit i kanë cilësuar udhëheqësit evropianë si “luftënxitës” dhe kanë mohuar se kanë dëshirë të kryejnë ndonjë sulm. Ata kishin bërë deklarime të ngjashme për Ukrainën në prag të pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022, edhe pse kjo nuk do të thotë automatikisht se ekzistojnë plane për agresion të mëtejmë.
“Rusia nuk po ndjek qëllimet ushtarake që i atribuohen vendit tonë”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, më 22 dhjetor. “Siç ka thënë tashmë presidenti i Rusisë, ne madje jemi të gatshëm që të garantojmë këtë ligjërisht si pjesë e një zgjidhjeje të luftës në Ukrainë”, shtoi ai.
Por, çdo angazhim i tillë ka pak të ngjarë të merret seriozisht nga shumë në Perëndim. Rusia po ashtu ka nënshkruar dhe më pas nuk kanë mbajtur premtimet për të respektuar kufijtë e Ukrainës në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994.
Në fund, gjithçka varet nga një njeri i vetëm.
“Siç e dimë, Rusia nuk është demokraci. Një vendim i tillë, në esencë, është rezultat i vendimit të Vladimir Putinit nëse ai dëshiron të sulmojë një vend evropian që është anëtar i NATO-s, ose një vend tjetër evropian, kështu që nuk kemi se si ta dimë”, tha për Shërbimin rus të REL-it, Elizabeth Braw nga instituti për mbrojtje dhe siguri, RUSI.
“Për këtë arsye po shihni udhëheqës ushtarakë në të gjithë Evropën që thonë se duhet të jemi të përgatitur për diçka që do të ndodhë nesër. Mund të ndodhë pas pesë vjetësh, dhjetë vjetësh ose kurrë, por nuk mund të mbështetesh mbi këtë”./ REL
