Presidenca: Letra e Qeverisë dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk është konstultuar e as dakorduar me presideten Vjosa Osmani.

Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin, nga zyra për media e presidentes Osmani.

“Letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Ai ka thënë se kjo letër nuk është e tillë dhe se mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën.

“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, u shpreh Kupina për Telegrafin.

Tutje ai ka theksuar se “Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Lëvizja e Qeverisë vjen në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (16 & 17 maj), ku anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ende s’është futur në rend dite. Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Kosovës të bëjë hapa konkretë për Asociacionin që t’i garantohet anëtarësimi në Këshill të Evropës. /Telegrafi/

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here