Dënimi i “revolucionit me ngjyra” dhe “pushteteve perëndimore”, bashkë me dëshirën që Serbia t’i bashkohet botës ruse, ishin mesazhet që kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ia përcolli presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Porfirije, përveç falënderimeve ndaj Putinit për mbështetjen, foli edhe për Kosovën, Republikën Sërpska dhe Malin e Zi, duke thënë se qëndrimi i Serbisë varet nga qëndrimi i Rusisë.
Gjatë takimit në Kremlin, më 22 prill, ku morën pjesë edhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, dhe mitropoliti i Baçkës, Irineji, u fol për dashurinë ndaj Rusisë që është “e ngulitur gjenetikisht në popullin serb” dhe për “punët djallëzore” të Perëndimit.
Ai ia përcolli Putinit përshëndetjet e Aleksandar Vuçiqit dhe konfirmoi se presidenti i Serbisë do të jetë në Moskë më 9 maj.
Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se vizita e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Moskë është “shumë më tepër sesa një gjest”.
“Konfirmimi i tij se Vuçiqi do të vijë në Moskë nënkupton se ai është takuar me të para se të nisej dhe se, me gjasë, ka marrë udhëzime, kërkesa ose lutje që të ndërhyjë tek Vladimir Putini për ta shpëtuar Vuçiqin nga ajo që ai e quan ‘revolucion me ngjyra’”, tha Jakshiq.
Ai shtoi se vizita e Vuçiqit në Moskë do të ketë “pasoja serioze për pozicionin gjeostrategjik të vendit”.
Pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta nga Brukseli dhe synimit të deklaruar për anëtarësim në BE, Beogradi vazhdon bashkëpunimin me Moskën dhe refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës./REL/