Këshilli Iniciues i Banorëve të lagjes Ulpiana ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtorin e Urbanizmit, Bekim Ramku, lidhur me projektin “Ulpiana Legacy 2030”.
Përmes një njoftimi publik, banorët kanë bërë të ditur se gjatë takimit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit, duke theksuar se lagjja nuk ka nevojë për objekt të ri dhe as për ndërtimin e një parkingu nëntokësor.
Ata kanë njoftuar se tashmë kanë dorëzuar në Komunën e Prishtinës kërkesë për anulimin e vendimit të Kuvendit Komunal për ndarjen e lokacionit për ndërtim.
Po ashtu, banorët kanë paralajmëruar se, nëse vendimi nuk anulohet, do t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat ligjorë për kundërshtimin dhe shfuqizimin e tij.

