Dervish Kelleci, një shtetas turk, pronar i një biznesi të regjistruar në Kosovë, u arrestua të mërkurën në një operacion të përbashkët policor mes Policisë, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
38-vjeçari, i cili sipas të dhënave publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figuron si pronar i një biznesi që merret me tekstil dhe veshmbathje, dyshohet se falsifikonte dokumentacionin e shtetasve të huaj, kryesisht turq, të cilët më pas punësoheshin si shpërndarës të ushqimit me skuterë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe AKI-së, skema e dyshuar korruptive funskiononte në bashkëpunim me zyrtarë të administratës të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Tre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme u arrestuan po ashtu në operacionin e të enjtes, njoftoi Policia e Kosovës.
Të arrestuarit janë Gylsen Jahiri, zyrtare përgjegjëse për pranimin e dokumenteve të shtetasve të huaj për lejeqëndrim, Fatma Shufta, zyrtare në Agjencinë për Regjistrim Civil dhe Elvirë Krasniqi-Qerka, zyrtare në Divionin për të Huaj.
Krasniqi-Qerka u lirua në procedurë të rregullt, ndërsa biznesmeni turk dhe dy zyrtarët publikë, Jahiri e Shufta, u ndaluan për 48-orë nën dyshimin për disa vepra të rënda penale.
Të ndaluarit, sipas organeve të rendit dhe hetuesisë, dyshohen për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Aksionin e djeshëm të Policisë dhe Agjencisë së Inteligjencës e përshëndeti edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai tha se ekziston dyshimi që të arrestuarit kanë kryer shërbime ndaj palëve dule shpërfillur procedurat ligjore.
“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, tha Sveçla.
Biznesmeni turk sillte punëtorë nga Turqia
Biznesmeni turk Dervish Kelleci dyshohet se operonte si ndërmjetësues mes punëtorëve të huaj dhe kompanive të shpërndarjes së ushqimit në Kosovë, sipas një kërkimi të thjeshtë në internet.
Ai, përmes postimeve në gjuhën turke, kërkonte punëtorë të interesuar për punën e korrierit me motoçikletë.
Ishte pjesë e një grupi në rrjetin social Facebook “Grup për ndarjen e mundësive të punës dhe jetës në Kosovë”. Aty shpallte konkurse punësimi si korrerë me motoçikletë.
“PRISHTINË – KËRKOHEN KORRIERË ME MOTOCIKLETË!”, shkruante ai në një postim në këtë grup.
“Nëse dëshironi të filloni punë pa asnjë pagesë, na kontaktoni. Nuk jemi kompani ndërmjetësuese apo konsulence – po kërkojmë kolegë që do të punojnë drejtpërdrejt me ne.”
Kelleci, sipas postimeve, u ofronte punëtorëve turq motoçikleta dhe pajisje pune si “çantë dhe helmetë”.
“Mundësi për t’u bërë pronar i motoçikletës me këste”, shkruante ai në një postim tjetër.
Kelleci dyshohet se pasi realizonte rekrutimin e punëtorëve nga Turqia, falsifikonte dokumentacionin e aplikantëve dhe dhuronte ryshfet për të siguruar lejeqëndrime në kundërshtim me ligjin. /Paparaci.com
