Një tragjedi e dyfishtë ndodhi këtë mëngjes ku nënë e bir humbën jetën si pasojë e zjarrit që ranë banesën e tyre.Familja Lushi ka hapur dyert e mortit për 57-vjeçarin Rexh Lushi dhe nënën e tij, Fatime Lushi, që humbën jetën, ndërsa banesa e tyre u shkrumbua totalisht.
Të afërmit e viktimave kanë thënë se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e energjisë elekrike.
Ata thanë se Rexha ishte duke ndihmuar nënën për ta nxjerrë nga shtëpia.
“S’kishte asnjë lloj mundësie për t’i ndihmuar, ishin të gjithë policia, zjarrfikësit dhe i gjithë katundi,” shprehet një bashkëfshatar i viktimave. “Ka hyrë për të nxjerrë nënën dhe ka ngelur brenda”.
Ai tha se Rexha kishte njoftuar edhe policinë, përpara se të futej për të shpëtuar nënën e tij.
Nga zjarri ka shpëtuar bashkëshortja e Rexhës. Viktima i kishte fëmijët dhe pjesën tjetër të familjes jashtë vendit, kryesisht në Angli.
Njoftimi i policise:
Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit R. L. Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi R. L. dhe nëna e tij, shtetasja F. L., ndërsa bashkëshortja e shtetasit R. L., shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa.
Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorit, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.