“Ne jemi të gjithë palestinezë” – qindra mijëra njerëz marshojnë në Sidnei të Australisë

Mijëra persona marshuan dje përgjatë Urës ikonike të Portit të Sidneit në Australi, duke sfiduar shiun për të kërkuar ndaljen e luftës dhe ndihmë urgjente për popullsinë civile e Rripit të Gazës, ku situata humanitare po përkeqësohet dita-ditës.

Pothuajse dy vjet pas fillimit të luftës, gjatë së cilës, sipas Autoritetit Palestinez, janë vrarë mbi 60,000 njerëz, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se mungesa e ushqimit ka shkaktuar urinë masive në territorin palestinez tashmë të shkatërruar.

Marshi, i quajtur “Marshimi për Njerëzimin”, u shoqërua me simbole të forta: shumë pjesëmarrës mbanin tenxhere dhe tiganë si shenjë e krizës së ushqimit në Gaza. Midis protestuesve kishte të moshuar, familje me fëmijë, si dhe figura publike si themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange.

“Na mjaftoi. Kur njerëzit bashkohen dhe flasin me zë të lartë, e keqja mund të ndalet,” tha Doug, një protuestues në të 60-at, transmeton Korrespodenti.

Disa nga protestuesit valëvitnin flamuj palestinezë dhe brohorisnin “Ne jemi të gjithë palestinezë”, duke shprehur solidaritet të drejtpërdrejtë me popullin e Gazës.

Autoritetet e Uellsit të Ri Jugor, përfshirë kryeministrin lokal, ishin përpjekur javën e kaluar të ndalonin mbajtjen e marshit në urë për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe trafikun. Por Gjykata Supreme e shtetit vendosi të enjten se protesta mund të zhvillohej.

Pas këtij vendimi, policia angazhoi qindra oficerë dhe bëri thirrje për një marshim paqësor. Forcat e rendit ishin gjithashtu të pranishme në Melbourne, ku u mbajt një protestë e ngjashme. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here