Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Pirro Vëngu, ka folur sot për situatën në rajon dhe marrëdhëniet me Kosovën.
Ministri theksoi se mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës është e gjerë, ndërsa i tërhoqi vëmendjen institucioneve të Prishtinës që të jenë totalisht transparent me NATO-n, jo vetëm për konsultime paraprake.
Mbështetja jonë ndaj Kosovës është në të gjithë spektrin. Bashkëpunimi me FSK-në është i përditshëm. Ne mbetemi totalisht vigjilent ndaj situatës në Kosovë, sikundër mbetet edhe NATO-ja. NATO i sheh të gjitha, i di të gjitha dhe ka një nevojë që ne të mbështesim një ndërveprim më të madh të institucioneve të Kosovës dhe NATO-s. Këtu nuk themi vetëm për konsultim paraprak, por edhe një nevojë që të gjitha institucionet e Kosovës të jenë totalisht transparente, ndaj insistuam kaq shumë sot për përfshirjen e Kosovës në A5, e cila është paradhoma para futjes në NATO-s”, tha ministri Vëngu në A2 CNN.
Më tej, ai tha se vendet e rajonit Shqipëria nuk i konsideron agresorë, por partnerë të qëndrueshëm.
“Ne do të jemi gjithmonë promotorë të iniciativave që Kosova dhe Serbia të ulen në tryezën e bisedimeve. Vendet e rajonit ne nuk i konsiderojmë si agresorë sot, pasi synojmë t’i kthejmë në partnerë të qëndrueshëm. Ne synojmë që t’i japim të gjitha mundësitë Kosovës në këto formate rajonale që të ketë vendin e saj, karrigen e saj dhe zërin e saj”.
Pirro Vëngu dha edhe një shpjegim për këndvështrimet e Tiranës zyrtare dhe të Prishtinës zyrtare, që në disa raste nuk kanë qenë të njëjtat.
“Ne investohemi në përmirësimin e kushteve, përfaqësimit, interesave, të të gjithë shqiptarëve në rajon, jo vetëm të Kosovës. Ndaj edhe këndvështrimet tona dhe të Kosovës mund të duken ndonjëherë se herë largohen dhe herë afrohen, por i vetmi shpjegim është se ne e shohim të gjithë faktorin shqiptar në rajon, jo vetëm Kosovën”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.