Me 17 vota për, 12 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi komunal i Drenasit ka miratuar vendimin për dhënien për 99 vjet të 51 pronave publike. Kundër këtij vendimi kanë qenë asamblistët opozitarë.
Nga lista paraprake u hoqën tre prona.
Opozitarët në Drenas si kundërshtim kryesor e shohin rrënimin e objektit të komunës së vjetër, ku brenda e saj është Shtëpia e Kulturës.
Pas miratimit, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka theksuar se shfrytëzimi i pronave publike nga investitorët apo biznesmenët është e paraparë me ligj.
“Me vjen keq komuna ka humbur gjithçka dhe ka humb qytetari i Komunës së Drenasit në mos funksionimin e kuvendit, duke përshirë grantin e performancës për 2024 që do të marrë komuna në vitin 2025.
Me urgjenca i kam çuar gjitha këto pika të rendit të ditës, pasi janë nevojë e domosdoshme e proceseve dhe procedurave të Kuvendit dhe pika e tretë ka qenë më kontestuese. Gjithmonë opozita këmbëngul të kundërtën sepse është opozitë dhe e vlerësojë. Por është një pjesë e opozitës për dijeninë tuaj sepse janë 5 anëtarë të opozitës që e kanë votuar listën paraprake. Është një listë ku i paraqitet qytetarit por edhe investitorëve që kanë interesuar me shfrytëzu pronën publike”, ka thënë Lladrovci.