Liderë të lartë ukrainas, evropianë dhe amerikanë takohen në Paris

Zyrtarë të lartë nga vende të rëndësishme evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë mbledhur në Paris të enjten, disa ditë pas bisedimeve të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Moskës, të cilat synojnë t’i japin fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lufta në Ukrainë, të cilën Moska e nisi më 2022, është më e madhja në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Kjo është hera e parë që do të zhvillohen takime ballë për ballë midis liderëve të lartë evropianë dhe ukrainas dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, pas takimit të tij më të fundit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar.

Moska nuk ka pranuar ta nënshkruajë një marrëveshje të gjerë armëpushimi, e cila u propozua nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ukraina e ka pranuar atë tashmë.
Rusia ka thënë se çdo marrëveshje është e kushtëzuar me ndalimin e përpjekjeve për mobilizim nga Kievi, si dhe me ndërprerjen e furnizimit të Ukrainës me armë nga Perëndimi. Këto kërkesa janë hedhur poshtë nga Ukraina.

Megjithatë, Witkoff tha së fundmi për Fox News se beson që një marrëveshje për paqe është “duke ndodhur”.

Ai tha se ka dëgjuar “cilat janë kërkesat e Putinit për një paqe të përhershme këtu”, duke shtuar se bëhej fjalë “për të ashtuquajturat pesë territore”. Kjo i referohet pjesëve të Ukrainës të pushtuara pjesërisht nga Rusia.

Derisa bisedimet filluan, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se teksa Uashingtoni po punon për paqen, “nga evropianët ne shohim një përqendrim në vazhdimin e luftës”.

Ndërkohë, Rusia nuk i ka ndalur sulmet vdekjeprurëse me raketa mbi qytetet ukrainase ditët e fundit. Më 16 prill, një sulm me dronë rusë në qytetin Dnipro vrau të paktën pesë njerëz.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here