Ministria e Financave ka dalë me një njoftim për qytetarët pas disa informatave të rreme që po qarkullojnë këto ditë mbi skemat pensionale.
Ministria kërkon që qytetarët të kenë kujdes se ku informohen dhe bën thirrje që të mos bien pre e mashtrimeve edhe të atyre rasteve kur iu kërkohen para këmbim të një pagese.
“Siç ju kemi informuar edhe përmes një njoftimi paraprak, udhëzoheni të jeni të kujdesshëm ndaj informatave të rreme që qarkullojnë këto ditë, të cilat kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë dhe mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale. Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jozyrtare. Ftojmë qytetarët të kenë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve dhe dezinformatave, dhe rastet e tilla kur ju premtohen shuma parash në këmbim të një pagese tani, t’i paraqesin edhe në organet e rendit”.
Dje Policia e Kosovës tha se “bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të RKS-së”.
“Policia e Kosovës po i trajton të gjitha informacionet relevante, përderisa të gjitha veprimet në vazhdim do t’i ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, andaj njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve/pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme, dhe për çdo rast të dyshuar ta njoftojnë Policinë e Kosovës, në stacionet më të afërta policore apo në (192) dhe [email protected]”.