Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, është arrestuar të enjten në mbrëmje pas një aksioni të Policisë në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Speciale.
Ismajli dyshohet se së bashku me gjashtë zyrtarë tjerë publikë kishin shfrytëzuar Gjykatën në Graçanicë për dallavere me pronat.
Sipas një njoftimi të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Përpos ish-ministrit Ismajli në mesin e të arrestuarve janë edhe gjyqtari mbikqyrës i Gjykatës Themelore të Prishtinës – Dega në Graçanicë, zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve dhe zyrtari i ATK G.L
Sveçla ka thënë se grupi dyshohet se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.
